Lansohen pagesat elektronike, fillimisht për tatimin në pronë dhe gjobat në trafik NULL NULL 29.12.2021 15:07 29.12.2021 15:07 Qeveria e Kosovës sot ka lansuar pilot-projektin e pagesave elektronike përmes platformës E-Kosova. Fillimisht pagesa elektronike qytetarët mund të bëjnë për pagesat e tatimit në pronë dhe gjobave të trafikut. Ofrimi i shërbimeve elektronike u tha se do lehtësojë edhe marrjen e shërbimeve edhe për bashkatdhetarët kudo që ndodhen. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se përmes pagesave elektronike synohet lehtësimi dhe shkurtimi i kohës për marrjen e shërbimeve qeveritare nga qytetarët. Ai tha se me digjitalizimin e shërbimeve do të krijohen shërbime elektronike që kanë në qendër qytetarin. “Me miratimin e Ligjit për Identifikimin Elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksione elektronike është hapur rruga për zbatimin e identifikimit dhe nënshkrimit elektronik. Ky projekt kyç, i cili pritet të fillojë së shpejti, do të hapë rrugë për ofrimin e shërbimeve të plota elektronike, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga sektori privat. Sot po fillojmë me pilotimin e pagesave elektronike për shërbimet qeveritare, që janë një komponent përbërës i rëndësishëm për realizimin e shërbimeve të E-qeverisjes. Qëllimi është që qytetarëve t’u ofrohet mundësia që shërbimet e iniciuara në mënyrë elektronike në portalin E-Kosova të mund të përfundohen në mënyrë elektronike brenda portalit qeveritar. Në këtë mënyrë synohet lehtësimi dhe shkurtimi i kohës për marrjen e shërbimeve qeveritare nga qytetarët. Pagesat elektronike do të jenë lehtësim edhe për qytetarët tanë nga mërgata për marrjen e shërbimeve qeveritare pa prezencën fizike. Gjatë fazës së pilotimit, pagesat elektronike fillimisht do të aktivizohen për pagesën e tatimit në pronë si dhe pagesën e gjobave në trafik.” Shefi i ekzekutivit kosovar u shpreh se digjitalizimi është objektivi kyç në programin qeverisës që do të ndikojë në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Kurti tha se planifikojnë që gjatë janarit të bëhet lansimi i certifikatave elektronike të gjendjes civile, ajo e lindjes, martesës dhe certifikata e vdekjes. “Digjitalizimi është një nga objektivat kyçë të programit tonë qeverisës dhe parashihet që të jetë pjesë e të gjitha shtyllave në strategjinë kombëtare për zhvillim. Në agjendën digjitale 2030, si agjendë horizontale në kuadër të kësaj strategjie jemi duke përcaktuar orientimet strategjike për digjitalizimin në të gjithë sektorët e qeverisjes dhe të ekonomisë së vendit tonë. Ne synojmë që të përdorim transformimin digjital si shtytës për të përmirësuar dhe avancuar administratën publike, sistemin arsimor, sektorin e shëndetësisë, sistemin e drejtësisë… Nëpërmjet zhvillimit të qeverisjes elektronike synojmë rritjen e transparencës, të llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, theksoi ai. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u shpreh se ky projekt ndihmon të gjithë qytetarët që t’i kryejnë obligimet e tyre, sidomos të atyre që jetojnë jashtë vendit. Ai tha se aktualisht pagesat elektronike mund të bëhen përmes bankave komerciale, derisa shtoi se këto lloj pagesa do të bëhen me siguri maksimale. “Në këtë fazë shërbimi do të ofrohet përmes pagesave të bankave komerciale të Kosovës dhe janë tri banka aktualisht, Raiffaisen, Procredit dhe TEB dhe këto janë dakorduar që gjatë fazës gjashtëmujore të pilotimit të mbështesin promovimin e këtij shërbimi, duke marrë përsipër mbulimin e komisioneve gjatë realizimit të pagesës. Pra, gjatë kësaj faze të pilotimit, do të jenë pa kosto, pas pilotimit do të shohim se si do të veprojmë tutje. Pagesat elektronike që kryhen përmes kësaj mundësie të bankave komerciale përdorin sistemin tredimensional të sigurisë, që ofrohet nga kartela që ofrohet nga Mastercard dhe Deviza, që ofron siguri maksimale për transaksione të pagesave”. Ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u shpreh se pagesat online ndikojnë drejtpërdrejt në aspektin e modernizimit të shërbimeve të administratës publike. Sipas tij, digjitalizimi në administratën publike synohet në dy aspekte: digjitalizimi i procedurave administrative, i cili do të ngritë efikasitetin dhe efiçiencën e administratës publike dhe digjitalizimi i shërbimeve publike. “Modernizimi i administratës publike është një ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe digjitalizimi është një mekanizëm kyç për të realizuar këtë objektiv. Krahas lansimit të disa shërbimeve digjitale në portalin E-Kosova, ne si MPB synojmë që digjitalizimin ta bëjmë në dy drejtime: digjitalizimi i procedurave administrative, i cili do të ngritë efikasitetin dhe efiçiencën e administratës publike dhe digjitalizimi i shërbimeve publike, i cili do të rezultojë me përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Për ta realizuar këtë, ne kemi krijuar një grup punues për skanim të gjendjes aktuale të infrastrukturës dhe kapaciteteve në fushën e teknologjisë informative. Lansimi i këtij moduli sot si pilot-projekt mund të konsiderohet se do të ndihmojë që shërbimi i pagesave online të ndikojë drejtpërdrejt në aspektin e modernizimit të shërbimeve të administratës publike”. Në këtë ceremoni u prezantua edhe mënyra se si qytetarët mund të bëjnë pagesat elektronike për tatimin në pronë dhe pagesën e gjobave të trafikut. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Kandiq dridh Serbinë: Studentët të vendosin lule në Batajnicë, ku kishte varreza masive me shqiptarë (VIDEO) 2 orë më parë
Kino dhe Teatër Java e Kulturës së Kosovës në Berlin, Ajeti: Akt i kujtesës për viktimat dhe të zhdukurit 4 orë më parë