Bob Dole dhe Kosova 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 06.12.2021 08:31 06.12.2021 08:31 Intervista e gazetarit të RTS-it (Televizionit Publik të Serbisë), i cili asokohe, në fillimvitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ishte një makineri propagandistike e regjimit luftënxitës të Slobodan Milošević-it, kishte mbërritur atë pikën kulmore. Përballë tij ishte Helen Delich Bentley, anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve, kongresmene pra, në emër të Partisë Republikane. Betnley njihej tashmë si një avokate e çështjes serbe në Kongresin Amerikane, edhe për shkak të prejardhjes së saj. Gazetari mendoi që erdhi momenti i diskreditimit të Senatorit Robert Dole, atëherë anëtarit më të respektuar dhe më të çmuar në Senat, i cili njihej si përkrahës i çështjes së Kosovës jo vetëm në Senat, po kudo në Administratën Amerikane të Presidentit George H. W. Bush. Gazetari ia drejtoi pyetjen në këtë mënyrë Delich-Bentley-it: ’Kemi informata të besueshme që lobby shqiptar e ka paguar kohëve të fundit dy milionë dollarë Bob Dolin, për të qenë mbështetës i Kosovës në Amerikë’. Gazetari dhe opinioni i atëhershëm publik serb, u shokuan me përgjigjen e Delich Bentley it. Ajo tha: ’Senatori Dole nuk mund të blehet. Nuk ka pare që mund ta blejë ate. Çkado që bën dhe që flet Dole, ky këtë e bën për shkak të bindjeve të veta, në respektim të qëndrimeve të veta’. Një përgjigje e tillë nuk pritej fare nga një kongresmene të afishuar si pro-serbe. Por ja që pikërisht ajo, e përshkruajti në mënyrën më të mirë dhe më të sakt të mundshme Senatorin Dole, integritetin e tij si politikan, orientimin e tij personal që ku të mundet, të përkrah çështjet e drejta në Botë, veçmas në Evropë, dhe që madje, të ndihmojë që e vërteta për një popull të shtypur, të lënë pas, të harruar për dhjetëvjetësha të tërë në Perëndim, siç ishte populli i Kosovës, të zbardhet kudo në Washington, dhe që të gjitha Administratat Amerikane, prej asaj të George H. W. Bushit, të jenë në anën e Kosovës. Senatori Dole, i cili këto ditë na la në moshën 98 vjeçare, ka një trashëgimi të pasur dhe të paharrueshme të të qenit pranë Kosovës dhe me të gjithë ne, si qytetarë të Kosovës, atëherë kur për ne ishte më së vështiri, kur madje, në vitet e lufës, 1998, 1999, rrezikohej edhe vet ekzistenca e jonë fizike si popull. Bob Dole është njëri prej politikanëve më në zë të brezit të politikanëve dhe senatorëve të mëdhenj, republikanë dhe demokratë, të viteve tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta, të cilit kryekëput për shkak të parimeve të tyre, në vijim të orientimit të tyre politik ndërkombëtar, nisin të përkrahin çështjen e Kosovës. Fjalë pas fjale, raport pas raporti të gazetave prestigjoze amerikane, pa dyshim edhe afërsia me shqiptaro-amerikanët e njohur, dhe gjithsesi, njohja me Dr.Ibrahim Rugovën, Presidentin historik të Kosovës, bëri që Senatorët Bob Dole, Alfonse D’Amato, John McCain, Joseph Lieberman, Joseph Biden (Presidenti aktual i SHBA-së), të bëhen bashkë, edhe pse i përkisnin partive të ndryshe (republikanë dhe demokratë), në mbrojtje të çështjes së Kosovës dhe në promovimin e të drejtës së qytetarëve të Kosovës për të vendosur për veten. Këta senatorë arritën që çdo Adminstratë Amerikane, prej asaj të Presidentit George H. W. Bush (në vitet 1989-2003), e deri te kjo e Presidentit Biden (prej këtij viti 2021, e tutje), pa marrë parasyshë se cila ishte baza e tyre politike, çka synonin në Botë dhe në Amerikë, a ishin më afër qasjes izolacioniste apo asaj intervencioniste në diplomacinë amerikane, a ishin më shumë realistë apo idealistë në politikën amerikane, të kenë të njejtin mendim dhe të njejtën politikë kur bëhej fjalë për Kosovës. Zatën, një dhe e vetmja çështje që njeh kontinunitetit në mes të Administratës së Presidentit Trump (në vitet 2017-2021), dhe atyre paraprake, është pikërisht çështja e Kosovës. Dole dhe miqtë e tij në Senatin Amerikan patën një rol të madh, të pazëvendësueshëm në fakt, në krijimin e këtij qëndrimi të palëkundur në të gjitha Adminstratat Amerikane që prej vitit 1990 e deri më sot, për më shumë se tri decenie. Në atë galerinë e personaliteteve, ku gjinden të gjithë ata politikanë dhe diplomatë amerikanë që kanë dhënë kontribut të madh për çlirimin e Kosovës dhe për krijimin e shtetit të Kosovës, Bob Dole është njëra prej figurave kyç, pa të cilin nuk mund të imagjinohet dot gjetja dhe zbardhja e fatit historik dhe politik për popullin e Kosovës. Këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë ne, shqiptarët e Kosovës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.