Bashkurti: ‘Kumanova’ skenar i Gruevskit NULL NULL 17.05.2015 10:05 17.05.2015 10:05 Konflikti i Kumanovës është pa më të voglin dyshim një skenar i qeverisë Gruevski, i cili sa herë rrezikon pushtetin përdor shqiptarët dhe konfliktet etnike për të tërhequr vëmendjen nga problemet e qeverisjes së tij. Kështu mendon Lisen Bashkurti, një ndër diplomatët dhe analistët më të njohur shqiptarë, njohës i çështjeve të rajonit. Ai ka thënë se ka një mungesë të madhe të informacionit dhe informacion shumë kontradiktor, prandaj kërkohet një hetim i plotë të gjithanshëm, të gjerë, të shpejtë dhe transparent. Më tej, Bashkurti argumenton pse incidenti i Kumanovës është një taktikë e Gruevskit për qëllime politike; për ta shkëputur vëmendjen nga skandali i përgjimeve. Për Bashkurtin, Qeveria e tij po e kalon krizën te elementi etnik shqiptar dhe po përdor termin terrorizëm për t’i mbushur mendjen faktorit ndërkombëtar. Në këtë situatë përgjegjësia primare bie mbi qeverinë, mazhorancën aktuale në Maqedoni, por edhe mbi politikanët shqiptarë, për të cilët qytetarët shqiptarë që jetojnë atje me të drejtë kanë krijuar pakënaqësi, pasi ndihen të pa përfaqësuar. Sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, diplomati Bashkurti mendon se për moszbatimin e saj gjatë këtyre 10 viteve përgjegjësi ka edhe vetë BE, pasi kjo para sa gjithash është një marrëveshje ndërkombëtare, dhe duhej monitoruar prej tyre. Ai shton se Shkupi, Beogradi dhe Moska, po ndjekin të njëjtën politikë duke bërë armiq komunitetet etnike apo shtete të caktuara në rajon, vetëm e vetëm për të fuqizuar pozitat e tyre nacionaliste. Lidhur me frikën e këtyre shteteve për krijimin e Shqipërisë së Madhe, Bashkurti thotë se ky është një termë-fiksion i shpikur nga Serbia e cila vetë ka dëshiruar prej dekadash të krijojë Serbinë e Madhe. Ai shton senuk ka asnjë dokument dhe asnjë platformë që mund të provojë Shqipërinë e Madhe; ndërsa sot pavarësia dhe sovraniteti, i Shqipërisë dhe Kosovës, me sa duket i shqetësojnë më shumë siç duhet fqinjët tanë përreth. Duke iu rikthyer edhe një herë situatës në Maqedoni, Lisen Bashkurti thekson se me skenarin e tij Gruevski po cenon jo vetëm stabilitetin e Maqedonisë por të gjithë rajonit. Ndaj ai kërkon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.