Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Verdiket e Gjykatës Kushtetuese dhe politika e Kosovës  (III)

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 10.12.2020 08:20

Cilat janë dy rrugët kushtetuese për ta shmangur tash e tutje krizën politike të shkaktuar me procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

Derisa këto tri Aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, kanë kontribuar ndjeshëm në tejkalimin e paqartësive dhe dykuptimësive tek Nenet kontestuese të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe kanë ndikuar, siç është konstatuar tashmë, në stabilizimin e rrjedhave të politikës kosovare, Verdikti i kësaj Gjykate, i marsit të vitit 2011, ka pasur një fat krejtësisht tjetër, apo, edhe sot e kësaj dite është një shtytës i mundshëm i krizës politike dhe parlamentare, sa herë që vjen në rend të ditës zgjedhja e Presidentit të Kosovës.

Në këtë shembull apo në këtë rast, kemi të bëjmë me një tjetër Amandamentim (de fakto), të Kushtetutës së Kosovës, apo të Nenit 86-të të saj, i cili qartëson procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

Përmbajtja e këtij Neni është një tjetër ekzemplar i asaj çfarë është thënë disa herë në këtë Analizë, kur hartuesit e Kushtetutës së Kosovës  (vendorë dhe ndërkombëtarë), kanë llogaritur që leximi i këtij Neni shpie deri te një kuptim apo domethënie e logjikshme e përmbajtjes së tij, të Pikave 4 dhe 5 të tij, kur flitet për shumicën e kualifikuar për zgjedhjen e një Presidenti.

Në Pikën 4, kjo shumicë e duhur e ka cilësinë e dy të tretave të përbërjes së Kuvendit të Kosovës  (apo, të 80 deputetëve, nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi, të cilët duhet ta përkrahin njërin prej kandidatëve për postin më të lartë në Republikën e Kosovës), teksa në Pikën 5 të Nenit 86-të, kjo shumicë nënkupton që së paku 61 deputetë të Kuvendit ta mbështesin njërin prej pretendentëve për këtë pozitë.

Dështimi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës në tri rrathë të votimit të fshehtë në Kuvendin e Kosovës, me automatizëm sjell shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare, jo më vonë se 45 ditë më pas.

Hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, kanë supozuar, në ato rrethanat krejtësisht të tjera  (në vitet 2006-2008), për të cilat u shkrua më parë, që në mos të gjithë deputetët e Kuvendit, atëherë, shumica dërrmuese e tyre, do të marrin pjesë në këtë votimin e fshehtë për ta caktuar të Parin e Republikës së Kosovës.

Ata nuk kanë mundur dot të paramendojnë që votimi për Presidentin e Republikës (si i tillë, e jo përcaktimi për një kandidat) do të shndërrohet në një fushëbetejë të egër politike. 

Pastaj, me atë logjikën e nënkuptimit të domethënies së një Neni, ata kanë mundur të llogarisin që Quorumi apo pjesëmarrja minimale për votimin e Presidentit të Kosovës, në dy raundet e para është 80 deputetë, dhe nëse ky numër nuk arrihet dot në këto dy përpjekjet e para, atëherë, kalohet në atë raundin e tretë ku me rëndësi është që një kandidat për President të merr votat e së paku 61 deputetëve, teksa këtu Quorumi përbëhet prej (po ashtu), së paku 61 deputetëve, me kusht që të gjithë ta votojnë të njejtin emër të një politikani apo qytetari të Kosovës që i ka mbi 35 vjet moshë.

Pikërisht kjo procedurë është aplikuar në rastin e zgjedhjes së Behxhet Pacollit për Presidentin e dytë të shtetit të Kosovës, me 22 shkurt të vitit 2011.

Deputetët e partive opozitare patën dalë prej sallës së Kuvendit të Kosovës, apo, këta deputetë e bojkotuan votimin e Presidentit, teksa përbërja e Koalicionit Qeverisës, mjaftoi që Pacolli ta merr votën e duhur në këtë rrethin e tretë të votimit të fshehtë.

Nuk do të vonojë, dhe diku pesë javë më pas, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës  (të cilit ishin të bindur që Presidenti i sapozgjedhur Pacolli ka shkelur menjëherë Kushtetutën e Kosovës në po të njejtën seancë parlamentare duke votuar për Qeverinë e re të Kosovës) do ta shpallë Verdiktin e saj që e linte pa pushtet Pacollin  (Presidentin e dytë, brenda një harku kohor prej vetëm gjashtë muajsh), dhe për më shumë, i jepte një domethënie krejt tjetër, prej asaj që si u tha më parë, nënkuptohej nga ai leximi i Nenit 86-të, të Pikave 4 dhe 5 të tij.

Pos që e bënte të domosdoshme që së paku dy kandidatë të jenë në garë për postin e Presidentit  (dhe secili prej tyre duhej të mbledhte së paku 30 nënshkrime të deputetëve), Gjykata Kushtetuese e Kosovës, do ta cimentojë atë Quorumin prej së paku 80 deputetëve në rrethin e parë të votimit të fshehtë për Presidentin e Kosovës, duke e pamundësuar situatën kur votimi në dy përpjekjet e para do të mund të shpallej i konsumuar  (apo i harxhuar), nga ana e Kryetarit të Kuvendit, për të dalë pastaj tek ai rrethi i tretë.

Thënë edhe më qartë, nëse në sallën e Kuvendit të Kosovës, nuk do të ishin të pranishëm, kur të nisë procedura e zgjedhjes së Presidentit, së paku 80 deputetë, dhe nëse të gjithë ata nuk do ta hedhin fletëvotimin e tyre në atë Kutinë e votimit, atëherë, as që mund të llogaritej që procesi i zgjedhjes së Presidentit ka filluar, apo duhet të konstatohet vendnumërimi në këtë aspekt, i cili si i tillë, shfaqë në mënyrën më brutale të mundshme krizën parlamentare, dhe paralajmëron mundësinë që ky dështim në zgjedhjen e Presidentit, ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja parlamentare.

Pra, dështimi në zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, bartet apo spostohet, me këtë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të marsit të vitit 2011, nga rrethi eventual i tretë dhe nga votat e pamjaftueshme për një kandidat, në rrethin e parë dhe votat e munguara për Quorumin fillestar prej 80 deputetësh.

Vendi kështu mund të shkojë në zgjedhje automatike pas 45 ditsëh, nëse 41 deputetët e Kuvendit të Kosovës  (të subjekteve të ndryshme parlamentare), vlerësojnë që është në interes të tyre të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, prandaj, ata nuk marrin pjesë fare në atë seancën e parë të zgjedhjes së Presidentit. Apo, vullneti i një pakice parlamentare prej 41 deputetëve, në teori  (dhe në praktikë), është më i fuqishëm, më valid, se ai i 79 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 

Në të gjitha shtetet e rajonit, prej Sllovenisë deri në Maqedoninë e Veriut, me përjashtim të Kosovës dhe të Shqipërisë  (rasti i Bosnjës dhe Hercegovinës është sërish botë në vete, me Presidencën tre-anëtarëshe, ku secili prej përfaqësuesve të tre popujve konstitutiv ka të drejtë të veto-s), Presidenti i shtetit zgjedhet me votat e drejtpërdrejta të qytetarëve të tyre, prandaj, ky Verdikt i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mund të vihet në raporte krahasimi vetëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dhe me procedurën e saj të zgjedhjes së Presidentit.

Kjo procedurë, përndryshe, është e definuar me Nenin 87-të të Kushtetutës së shtetit.

Janë të parapara madje pesë mundësi/ rrathë të zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Një kandidat kualifikohet për garë nëse mbledh së paku njëzet nënshkrime të deputetëve, teksa dihet që Kuvendi i Shqipërisë ka në përbërjen e tij 140 deputetë. 

Në tri përpjekjet e para, një pretendent për President duhet ta sigurojë përkrahjen e së paku 3/5-tave të deputetëve, apo, të 84 deputetëve.

Në dy raundet finale, Presidenti zgjedhet me shumicën e deputetëve, apo, me mbështetjen e së paku 71 deputetëve.

Por, për dallim prej procedurës së definuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me Aktgjykimin e muajit mars të vitit 2011, në Kuvendin e Shqipërisë, ndodhë konsumimi i një seance kur është në Rend të ditës zgjedhja e Presidentit, nëse në këto tre raundet e para anjëri prej kandidatëve për President nuk merr përkrahjen e së paku 84 deputetëve  (ai numri mininal që kërkohet për zgjedhjen e Presidentit), apo, nëse nuk ka fare kandidat për postin e Presidentit  (kjo mundësi lejohet me Kushtetutën e Shqipërisë).

Ndryshe, Seancat mbahet njëra pas tjetrës, jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës.

Në dy rrathët e fundit, kërkohet ai minimumi prej së paku 71 deputetëve të cilët duhet të votojnë për një kandidat, ku madje, në atë përpjekjen e fundit  (të pestën me radhë), lejohet edhe mundësia e paraqitjes së emrave krejtësisht të ri në garë.

Nëse as kësaj here nuk arrihet të zgjedhet Presidenti i Shqipërisë, njëlloj si në Kosovë, imponohen zgjedhjet e reja pas 45 ditëve.

Kështu është në Shqipëri, teksa në Kosovë nuk ekziston dukuria e konsumimit të një seance të Parlamentit, në zgjedhjen e Presidentit, nëse nuk ka Quorum fillestar prej së paku 80 deputetëve.

Sidoqoftë, në rastin e Kosovës, për ta respektuar këtë Verdikt të Gjykatës Kushtetuese të marsit të vitit 2011, u dasht të bëhet një Marrëveshje e madhe politike në mes të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, në prani të Ambasadorit të atëhershëm amerikan Christopher Dell, dhe që të gjindet një figurë neutrale, apartiake, çfarë ishte Atifete Jahjaga, Zëvëndës-Drejtore e Policisë së Kosovës, për t’iu shmangur kërcënimit i zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ndërsa në muajin shkurt të vitit 2016-të, në rrethana të njohura për të gjithë, në një seancë që pati gaz lotësjellës dhe dhunë, lideri i PDK-së dhe Zëvëndës-Kryeministri i parë, Hashim Thaçi, në rrethin e tretë u zgjodh President i Kosovës me votën e 71 deputetëve, teksa u respektua në tri rrethe madje, ai Quorumi i caktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Pra, edhe në Raundin e tretë të zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës, të bërë me 26 shkurt të vitit 2016-të, në sallën e Kuvendit kanë qenë të pranishëm 81 deputetë, teksa 80-të prej tyre kanë votuar.

Sidoqoftë, nëse këtu i kthehemi zhvillimeve të fundit në Kosovë, pas dorëheqjes së Presidentit Thaçi, të kumtuar me 5 nëntor (në vijim të konfirmimit të Aktakuzës ndaj tij në Dhomat e Specializuara në Hagë), politika kosovare tashmë gjendet para një krize të re politike dhe parlamentare, sepse nuk shihet se si do të mund të arrihet dakordimi në mes të partive parlamentare të Kosovës, për ta siguruar atë Quorumin fillestar prej së paku 80 deputetëve për ta iniciuar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës së Kosovës.

Koalicioni aktual qeverisës i vendit, që njeh si partnerë LDK-në, AAK-në, ‘Nismën për Socialdemokraci’ dhe deputetët e komuniteteve pakicë, nuk ka as vet shumicën parlamentare prej 61 deputetëve. Në çdo variant pra, këtij koalicioni i duhet përkrahja e njërës prej partive opozitare, PDK-së të udhëhequr nga Enver Hoxhaj, ose Lëvizjes ’Vetëvendosje’ të prirë nga Albin Kurti, për të mbërri tek ky numri prej 80 deputetëve që do të ishin të vullnetshëm të votojnë për njërin prej së paku dy kandidatëve për postin e Presidentit të Kosovës.

Kur dihet qëndrimi i Kurtit që Presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjedhet vetëm pas një cikli të ri të votimit për Kuvendin e Kosovës, apo, pas sigurimit të një legjitimiteti të ri të pushtetit qendror, atëherë, Qeverisë aktuale të Kryeministrit Hoti, si partner i vetëm në këtë ndërmarrjen eventuale për zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja të parakohshme, i mbetet vetëm PDK-ja. Por, kushti i PDK-së për të bashkëpunuar me LDK-në, AAK-në dhe ’Nismën për Socialdemokraci’, është që kjo parti ta nominojë kandidatin  (njerin prej tyre, sepse sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të jenë së paku dy të tillë), për detyrën e Presidentit të Kosovës.

Këto zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës, realisht, janë një tjetër konfirmim që Verdikti i Gjykatës Kushtuese të Kosovës, i marsit të vitit 2011-të, i cili këmbëngulë në atë qëndrimin që ndërmarrja e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës vendnumëron (dhe dështon, në këtë mënyrë), poqëse në seancën e Kuvendit nuk janë të pranishëm së paku 80 deputetë, dhe nëse të gjithë ata nuk votojnë, është një pengesë të thuash e pakapërcyeshme për politikën kosovare.

Ndryshe, diçka e tillë mund t’i ndodhë kësaj politike  (pamundësia për ta zgjedhur Presidentin e ri), edhe poqëse pas dështimit eventual të javëve të ardhshme në gjetjen e një kompromisi në mes të Koalicionit qeverisës dhe PDK-së për këtë çështje, do të mbahen zgjedhjet e pesta të parakohshme në Republikën e Kosovës, në harkun kohor 2010-2021. 

Dihet që pas këtyre zgjedhjeve eventuale, hapi i parë në krijimin e institucioneve qendrore është emërimi i Kryetarit të Kuvendit, i cili pas atij Aktgjykimit të gushtit të vitit 2014-të  (të Gjykatës Kushtetuese), është pak a shumë akt teknik.

Por hapi i dytë, menjëherë pas këtij kur do të dihet kush do të jetë në ballë të legjislacionit të tetë në historinë e parlamentarizmit në Kosovë  (që prej vitit 2001 e deri më sot), përkon me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Askush nuk mund të përjashtojë një tjetër dështim në zgjedhjen e Presidentit, poqëse nuk do të ketë një kompromis në mes të partive që do ta bëjnë Qeverinë e re të Kosovës dhe atyre opozitare. Diçka e tillë do të mund të shmangej vetëm nëse Qeveria e re vet do t’i ketë 80 deputetë apo edhe më shumë prapa vetes.

Sidoqoftë, nëse dëshirohet, tash e tutje që skena politike e vendit të mos përballet me këtë pengesë të madhe në funksionimin e saj  (teksa edhe pa këtë problem, kjo skenë është sa të duash ’kreative’ në krijimin e pengesave të të gjitha llojeve), janë dy rrugë ligjore apo dy mundësi të cilat do të mund të shfrytëzoheshin.

E para nënkupton që Kuvendi i Kosovës t’i ri-konfirmojë dhe t’i ri-dërgojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës Amandamentet e përgatitura në pranverën e vitit 2012-të, përmes të cilave, të gjitha partitë parlamentare asokohe u patën pajtuar që Presidenti i Kosovës do të duhej tash e tutje të zgjedhej me votën e qytetarëve të Kosovës, e jo me procedurat parlamentare.

Atëbotë, Pakoja e Amandamenteve u zbraps nga Gjykata Kushtetuese të Kosovës, sepse atypari ishte paraparë edhe që të shkurtohej mandati i Atifete Jahjagës, Presidentes së Kosovës  (në përputhje me atë Marrëveshjen e prillit të vitit 2011 në mes të Isa Mustafës, si lider i LDK-së, Hashim Thaçit, Kryetarit të PDK-së dhe Behxhet Pacollit, Kryetarit të AKR-së), teksa kjo Gjykatë theksoi që diçka e tillë nuk është e mundur, apo që zgjedhjet direkte për Presidentin e Kosovës, mund të mbahen vetëm pas skadimit të mandatit të Presidentes Jahjaga, në prillin e vitit 2016.

Pas këtij Verdikti të Gjykatës Kushtetuese, ndodhi një rënie e madhe e entuziazmit (nëse mund të thuhet ashtu), që Presidenti i Kosovës të zgjedhet me votën e qytetarëve të Kosovës.

Megjithatë, gjithnjë e më shumë po kuptohet që do të ishte mirë nëse ndodhë ’shkurorizimi’ i procedurës së zgjedhjes së Presidentit të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, përmes votës së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Rruga e dytë e tejkalimit të kësaj pengese të madhe do të përkonte me përgatitjen e Amandamentit kushtetues për Nenin 86-të të Kushtetutës së Kosovës, ku do të aplikohej ajo logjika e konsumimit të dy raundeve të para të Mbledhjes së Kuvendit të Kosovës  (ashtu siç është në Shqipëri), në të cilën votohet për Presidentin e Kosovës, nëse nuk janë të pranishëm në sallë së paku 80 deputetë, për të kaluar pastaj në atë raundin e tretë dhe final që njeh Quorimin prej së paku 61 deputetëve.

Natyrisht, për ta përgatitur këtë Amandament Kushtetues, për ta votuar ate dhe pastaj, për ta dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nevojitet sigurimi i përkrahjes së 80 deputetëve të Kuvendit, madje, edhe i asaj shumice të dyfishtë  (së paku 14 prej 20 deputetëve që përfaqësojnë komunitetet pakicë duhet ta përkrahin këtë Amandament). 

Pra, ne te dy rrugët e mundshme kushtetuese, duhet sërish një dakordim politik në shkallë të gjërë në Kuvendin e Kosovës, e cila gjë, së paku në rrethanat e tanishme, duket një tjetër mision vështirë i arritshëm, në mos edhe i pamundur. 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme