Nikaj: Opsioni i diskutimit për kufijtë nuk është në tavolinën e dialogut (VIDEO) NULL NULL 25.11.2020 22:02 25.11.2020 22:02 Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, ka thënë se Brukseli dhe Washingtoni nuk kanë pasë dhe nuk kanë qasje ndryshe për marrëveshjen e mundshme finale mes Kosovës dhe Serbisë. “Besoj që ky diskursi i përgjithshëm rreth dialogut është i ngarkuar me shumë elemente që me kohën nuk janë sqaruar si duhet dhe interpretohen nga palë të ndryshme në mënyra të ndryshme. Nuk besoj që ka pasë qasje të ndryshme nga Brukseli dhe Washingtoni. Ka pasë, dhe vazhdon të ketë, dy grupe të shkollave të të menduarit – një shkollë e të menduarit që është kundër diçkaje dhe një shkollë e të menduarit që thotë se nëse palët pajtohen, atëherë kush jemi ne t’iu themi që zgjidhjet e caktuara nuk funksionojnë?”. “Ajo që është e rëndësishme është që njëherë e përgjithmonë të vendosim në diskursin tonë publik në Kosovë për çka jemi ne. Për shumë vjet kemi dëgjuar shumë opinione kundër cilës zgjidhje jemi, por nuk kemi dëgjuar opinione se për cilën zgjidhje jemi”. Ai ka thënë se nuk është reale pritja që Serbia të ndryshojë qasjen karshi Kosovës, derisa ka shtuar se SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë nga Kosova që të ulet në tavolinë me Serbinë dhe të merren vesh për marrëveshjen përfundimtare. “Të gjithë pajtohemi që zgjidhja optimale për Kosovën është që ne të insistojmë që gjithçka çfarë kemi pasur të japim kemi dhënë në kohën e Ahtisaarit dhe nuk kemi çka të bisedojmë më, si dhe të shpresojmë që Serbia dhe Bashkësia Ndërkombëtare zgjohet një mëngjes dhe thotë se kemi qenë gabim për këto 15 vjetët e fundit dhe kthehemi tash dhe e pranojmë Kosovën, por kjo nuk do të ndodhë”. “Nuk është realiste që të pritet kjo, pasi të gjithë miqtë tanë –shtetet e BE-së dhe SHBA-të – na kanë thënë në Prishtinë, duke përfshirë presidentin e ri të zgjedhur të SHBA-së Joe Biden, që ne duhet të ulemi në tavolinë në mënyrë serioze dhe të merremi vesh për një marrëveshje të qëndrueshme e cila përfshin njohjen reciproke nga të dyja vendet. Këtë e kërkojnë nga ne të gjithë miqtë ndërkombëtarë”. Nikaj, në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se kushdo që mendon se Kosova ka opsion që të mos dialogojë është krejtësisht gabim. “Dialogu është baza e marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Europian, baza e MSA-së që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, është kërkesë dhe obligim zbatimi i marrëveshjeve, ashtu siç është kërkesë dhe obligim ndërkombëtar i Kosovës i ratifikuar në Parlament. Këto nuk kanë alternativa”. “Derisa ne diskutojmë nëse dialogu ka opsion ose jo, ne jemi duke humbur kohë. Ne duhet ridrejtuar diskutimin drejt asaj se cila është zgjidhja dhe se si mund të arrijmë deri te ajo. Duhet parë edhe praktikat e vendeve të tjera me probleme fqinjësore, si rasti i Maqedonisë së Veriut dhe zgjidhjes së problemit me Greqinë pas 20 e sa vjetësh. Nuk është bërë në mënyrë shumë gjithëpërfshirëse. Duhet të jemi realist se sa mund të kemi diskutim shumë të madh, sa mund të kemi transparencë dhe çka nënkuptojmë me transparencë. Kam përshtypjen që opinioni mendon që transparenca nënkupton që të dyja palët ulen në tavolinë me një kamerë televizive dhe e shikojmë atë si ndeshje të futbollit – që nuk do të ndodhë asesi”. Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel është shprehur i bindur se opsioni i diskutimit për kufijtë nuk është më në tavolinën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. “Duhet pasë parasysh deklaratat e [Miroslav] Lajcak dhe [Josep] Borrell, sepse këto janë qëndrime tanimë zyrtare. Përkundër asaj që ne për një kohë të caktuar kemi komentuar diçka që ka ndodhur në të kaluarën, tani e kanë bërë të qartë që opsioni i diskutimit për kufijtë nuk është në tavolinë. Duke u bazuar në rrethanat në Kosovë, Serbi dhe BE, komisioni i ri kur është emëruar [Josep] Borrell dhe instruksionet që ka [Miroslav] Lajçak për udhëheqje të dialogut nga shtetet anëtare, opsioni i diskutimit për kufijtë nuk ekziston”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Temperaturat e larta, MPB me vendim ndalon ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura 4 orë më parë
Kosova Osmani: Mbrojtja e të drejtave të pacientëve, indikator i rëndësishëm i funksionimit demokratik të shtetit 7 orë më parë