Skandaloze: Sulmohet ekipi realizues i Klan Kosova dhe Artmotion, nuk transmetohet ndeshja Vllaznimi – Trepça NULL NULL 11.11.2020 19:31 11.11.2020 19:31 Ekipi realizues i Klan Kosova dhe Artmotion, i cili është dashur ta realizonte transmetimin e ndeshjes së basketbollit Vllaznimi – Trepça, është sulmuar fizikisht dhe është penguar në kryerjen e detyrës zyrtare nga ana e përgjegjësit të palestrës “Shani Nushi” në Gjakovë, me ndihmën edhe të një pjesëtari të sigurimit të sallës. Rreth orës 17:00, kur ekipi kishte arritur para palestrës dhe kishte kërkuar asistencë nga zyrtarët e palestrës (sikurse është normale në çdo ndeshje tjetër) kishte hasur në arrogancë dhe refuzim të lejimit të hyrjes e më pas edhe në ofendime, kanosje dhe sulm fizik nga ana e përgjegjësve të palestrës. Në kohën kur ka ndodhur rasti nuk ka pasur asnjë zyrtar të KB Vllaznimit në palestër dhe as prezencë të Policisë së Kosovës. Pas kontakteve të përgjegjësve të Artmotion dhe Klan Kosova me zyrtarë të FBK-së dhe KB Vllaznimit për raportim të rastit, të njëjtit kanë arritur në palestër ku ka vazhduar rezistimi i përgjegjësit të palestrës për të lejuar ekipin për të hyrë dhe ka vazhduar me kërcënime dhe fyerje. Ndërkohë, me thirrje të KB Vllaznimit për asistencë policore, patrulla e Policisë së Kosovës ka arritur në palestër rreth orës 18:30 minuta, që ishte vonë dhe ka pamundësuar realizimin e transmetimit të ndeshjes së basketbollit. Ky është rast skandaloz i cili kurrë deri tash nuk ka ndodhur në histori të basketbollit kosovar. Klan Kosova dhe Artmotion thërrasin institucionet përgjegjëse – FBK, Komunën e Gjakovës, e cila është përgjegjëse për Palestrën “Shani Nushi”, dhe KB Vllaznimin – që të ndërmarrin masa, ndërsa do të merren edhe hapat e nevojshëm ligjorë.