Kosova ndër ekipet me lojtarët më të rinj në kualifikimet për “EURO 2020” NULL NULL 21.11.2019 16:13 21.11.2019 16:13 Kosova nuk arriti të kualifikohej në Euro 2020, por “Dardanët” mund të mburren së paku me një primat që e kishin gjatë fazës eliminatore. Verdhekaltrit e kishin në përgjithësi ekipin më të ri në kualifikimet e Evropianit. Përfaqësuesja e Kosovës e bëri një kampanjë të shkëlqyeshme në kualifikimet e Euro 2020 edhe pse nuk arriti të kualifikohej përmes rrugës tradicionale. “Dardanët” së paku mund të mburren me faktin se në kualifikimet e para dhe historike të Kampionatit Evropian e mbajtën një primat. Verdhekaltrit ishin ekipi më i ri i këtyre kualifikimeve duke prirë për nga mosha më e re në katër ndeshje nga Top 10 ekipet startuese më të reja në fazën eliminatore. Në ndeshjen me Bullgarinë, mosha mesatare e ekipit të Bernard Challandes ishte 23.7 vjeçare. Në duel me Malin e Zi, mosha e lojtarëve startues të ekipit të Kosovës ishte 23.9 vjeçare, shkruan sajti i specializuar i futbollit, për vlerën e lojtarëve, klubeve dhe për statistika të ndryshme, njofton Transfermarkt përcjellë Klan Kosova. Me Republikën Çeke në stadiumin “Fadil Vokrri”, mesatarja e moshës së “Dardanëve” që luajtën nga minuta e parë ishte 24 vjeçare. Me Anglinë në ndeshjen e zhvilluar në Southampton, mosha mesatare e futbollistëve kosovarë ishte 24.1 vjeçare. Në mesin e Top 10 ekipeve më të reja të Evropianit futet edhe Anglia, me tri ndeshje, ndërsa aty gjendet edhe Luksemburgu me dy dhe Turqia me një. Mosha e re e futbollistëve jep shpresë që Kosova të jetë e suksesshme në vitet e ardhshme. Sidoqoftë, “Dardanët” mbeten ende në garë për t’u kualifikuar në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.