Ruari O’Connel i ashpër me Ministrinë e Integrimeve Evropiane: Mos folni në emrin tim NULL NULL 14.08.2019 14:40 14.08.2019 14:40 Ambasadori britanik Ruari O’Connell, i cili po e përfundon mandatin e tij në Kosovë, ka reaguar ashpër ndaj Ministrisë së Integrimeve Evropiane, lidhur me një deklaratë që kjo e fundit publikoi pas takimit të tij me Ministren në largim Dhurata Hoxha. O’Conell ka thënë se në komunikatën e publikuar nga ministria në fjalë janë thënë të pavërteta rreth qëndrimeve të tij dhe diskutimit që pati me ministren në largim. “E vetmja gjë që nuk do të më mungojë në Kosovë është praktika joprofesionale dhe jo miqësore e politikanëve të Kosovës “të flasin në emrin tim”. Takova sot Ministren e Integrimeve Evropiane, i cila është një mike e vjetër. Pas takimit, Ministria e saj lëshoi një deklaratë për shtyp duke dhënë qëndrime të mia. Kjo nuk u pajtua me Ambasadën time. Kjo komunikatë u publikua në media të cilat nuk kanë kontrolluar me Ambasadën time” ka shkruar ambasadori britanik në Facebook. Ai ka theksuar se Marrëveshja për Stabilizim Asocimin dhe të drejtat e njeriut nuk ishin fare temë diskutimi në takimin e lartëpërmendur, e lidhur me të cilat kishte dërguar komunikatë Ministria e Integrimeve Evropiane. “Ambasadori O’Connell, vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së, reformave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në veçanti për procesin integrues, procese këto që duhet bërë edhe më shumë” – shkëputur nga komunikata e dërguar nga MIE. O’Conell tha se kanë diskutuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por se nuk ka ofruar ndonjë vlerësim. “Në fakt, unë nuk ofrova ndonjë mendim për zbatimin e MSA-së në Kosovë. As nuk e diskutuam këtë gjë. Ne nuk diskutuam për të drejtat e njeriut. Ne diskutuam për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë thashë që Kosova ishte në një pikë kritike dhe se duhej të ndërmarrë hapa për të pastruar politikën nga kriminaliteti. Unë nuk ofrova asnjë vlerësim për punën e institucioneve” ka shkruajtur ai. Ambasadori gjithashtu theksoi se me një gjë të tillë ishte përballur edhe më parë dhe se Ambasada Britanike do ta korrigjojë çdo deklaratë të publikuar pa pëlqimin e tyre. “Për të qenë absolutisht e qartë: Mbretëria e Bashkuar nuk mbështet ose kundërshton asnjë parti politike në Kosovë. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë dhe detyrë të marrin përgjegjësinë për votën e tyre dhe pasojat e tij” ka përfunduar shkrimin Ruari O’Connell. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Thellohet kriza e konstituimit, VV insiston në votimin e fshehtë, ish-opozita e cilëson të jashtligjshëm 06/07/2025
Kosova Koci për situatën në Kuvend: Duhet me i lënë anash inatet, ka ardhë koha me i përvjelë mëngët 06/07/2025
Kosova Policia konfirmon raportimin e Klankosova.tv: Mesazhi për bombë dyshohet se erdhi nga Serbia 05/07/2025