Mbyllen punimet e Samitit të Berlinit – publikohet foto e përbashkët NULL NULL 29.04.2019 21:26 29.04.2019 21:26 Samiti i Berlinit i cili mblodhi liderët e Ballkanit në takim me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emanuel Macron, i ka mbyllur punimet. Përfundimi i darkës së përbashkët, që ishte aktivitetit i fundit i paraparë për sot u shënua me një fotografi të përbashkët. “Kësaj fotografie të përbashkët duhet t’i japim përmbajtje dhe dinamikë, për të përshpejtuar rrugëtimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Familja evropiane është familja jonë” ka shkruar presidenti Hashim Thaçi në Facebook me ç’rast ka postuar edhe fotografinë. Para darkës liderët e Ballkanit, ku Kosova u përfaqësua nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, zhvilluan takim me dyer të mbyllura me Macron dhe Merkel. Temë kryesore e samitit ishte dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, rinisjen e të cilit po e kërkojnë Merkel dhe Macron por jo edhe çfarëdo marrëveshje. Tani pritet që udhëheqësit e vendeve të Ballkanit të japin deklarata lidhur me diskutimet në këtë samit.