Krerë të shtetit nderojnë figurën e Adem Jasharit në përvjetorin e Epopesë (VIDEO) NULL NULL 05.03.2023 07:45 05.03.2023 07:45 13:44 – Sveçla: Tre brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë një postim në Facebook me rastin e 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Ai është shprehur se tre brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë. “Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998 familja e lavdishme Jashari në Prekaz u rrethua nga forca të shumta ushtarake të ushtrisë serbe. Kjo nuk ishte hera e parë e rrethimit të tyre. Angazhimi i tyre ishte fakt i papranueshëm për agresorin serb. Por kjo ishte hera e fundit, sepse këtu nisi kthesa historike e luftës sonë që Serbia gjenocidale nuk e pati menduar. Nisi lufta e madhe për çlirim”, tha Sveçla. Ministri Sveçla tha se rezistenca dhe sakrifica e tyre për liri janë, siç u shpreh ai, udhërrëfyesi më i qartë për ne në punën për Republikën. “Gra, burra e fëmijë të Jasharajve në përballje të pabarabartë e nën rrethim nuk u dorëzuan për tre ditë me radhë. Serbia me mjetet e saj të rënda të luftës shkoi kundër synimit të vet. Madhështia e saj përmes armëve u sfidua nga madhështia e rezistencës së familjes Jashari. E këtu zuri vend frymëzimi e vullneti i mbarë popullit tonë për një luftë të re”. “Tre brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë. Familja Jashari trasoi rrugën nga e cila nuk mund dhe nuk duhet të devijojmë. Ata na mësuan të gjithë neve se liria është e domosdoshme e se dorëzimi nuk është asnjëherë alternativë. Rezistenca dhe sakrifica e tyre për liri janë udhërrëfyesi më i qartë për ne në punën për Republikën. Lavdi të gjithë të rënëve të familjes Jashari. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, shkroi Sveçla. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 13:00 – Kurti: Sot e përmbushim vizionin e Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se rënia heroike e Adem Jasharit kishte bërë që ai të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ai është gjallë edhe sot, veçanërisht tek ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. “Ato ditë ishte ende koha e luftës, e asaj lufte për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur gjithë jetën dhe asaj lufte që ai ia kushtoi tërë jetën. U tha “Ai është gjallë”, edhe pse ai kishte vdekur për liri, sepse ishte pikërisht rënia e tij heroike, që kishte bërë që Adem Jashari të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot, dhe veçanërisht tek ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Kurti gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e organizuar në FSK, për nder të 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Kurti tha se sot është përmbushur vizioni i atëhershëm i Ademit, për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, njofton Klankosova.tv. “Sot ne e përmbushim vizionin edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës, teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të transformimit, në Forcat e Armatosura të Kosovës, duke shtuar personelin dhe rritur kapacitetet, duke u pajisur me pajisje moderne, dhe duke u trajnuar e stërvitur në akademitë më të mira ushtarake të vendeve tona aleate”, deklaroi i pari i Qeverisë. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 12:51 – Rifat Jashari: Kënaqësi me qenë para kësaj ushtrie që e kemi pritur ‘dem baba dem’ Vëllai i heroit Adem Jashari, Rifat Jashari, ka folur sot në nder të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jashari tha se është kënaqësi për të që të jetë pranë kësaj ushtrie që është pritur për kohë të gjatë, njofton Klankosova.tv. “Sot, Ushtria Çlirimtare e Kosovës na u bashkua për 25-vjetorin e Epopesë së lavdishme, është një kënaqësi me qenë para kësaj ushtrie që e kemi pritur dem baba dem”, ka thënë Jashari. “Ua urojë 25-vjetorin, u uroj shëndet e punë të mbare e ishalla Zoti na ndihmon, të arrijmë qëllimet tona shekullore për hir të luftës, gjakut të bijve e bijave tona, të dëgjojmë një gjuhë të përbashkët dhe të arrijmë qëllimet tona në maksimum si të gjitha shtetet që ekzistojnë në botë, lavdi të gjithë të rënëve”, shtoi ai. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 12:38 – Osmani për 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së. Ajo është shprehur se po përkujtohet 25 vjetori i një ngjarjeje që, sipas saj, ndryshoi rrjedhën e historisë. “Sot jemi mbledhur për të përkujtuar 25 vjetorin e një ngjarjeje që ndryshoi rrjedhën e historisë, një ngjarje që i tregoi botës se çfarë mund të arrijë një popull që e do dhe e meriton lirinë, sidomos kur në krye të tij ka patriotë të devotshëm e trima sikurse komandanti legjendar, Adem Jashari me familjen e tij, por edhe vajza e djem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh ajo. Osman tha se kujtimi për heronjtë dhe respekti për luftëtarët do jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, përcjell Klankosova.tv. “Të gjithë heronjëve të rënë, faleminderit përjetësisht, faleminderit për shërbimin, guximin dhe sakrificën gjithë luftëtarëve tanë, kujtimi për heronjtë dhe respekti për luftëtarët do jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke e çmuar dhe ruajtur fortë lirinë dhe Republikën tonë, Zoti e bekoftë familjen Jashari, Zoti i bekoftë të gjithë dëshmorët tanë, Zoti i bekoftë qytetarët tanë dhe Republikën e Kosovës”, u shpreh tutje ajo. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 12:23 – Kurti e Konjufca arrijnë në kazermën “Adem Jashari” (FOTO) Sot do të zhvillohet ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së. Kjo ceremoni do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari”, ku pas presidentes Vjosa Osmani dhe Ministrit Xhelal Sveçla, ka arritur edhe Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari, Glauk Konjufca. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 12:12 – Osmani e Sveçla marrin pjesë në rreshtimin e kuadrateve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” (FOTO) Sot do të zhvillohet ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së. Kjo ceremoni do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari”, përcjell Klankosova.tv. E për ta përcjellë këtë ceremoni, në kazërmë kanë shkuar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ndryshe, tashmë kanë filluar edhe përgatitjet për rreshtimin e kuadrateve të FSK-së në kaze në kazermën “Adem Jashari”. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 11:10 – Rrëfimi i bashkëluftëtarit të Ademit e Hamzës për rrethimin e familjes Jashari (VIDEO) Ragip Jashari, që luftoi krah Ademit e Hamzës, në vitin 2021 pati rrëfyer ekskluzivisht për Klan Kosovën, momentin e parë kur filloi rrethimi i familjes Jashari. Ai kujtonte orët e para të 5 marsit, kur bashkë me Hamzën po e shijonte kafen e mëngjesit, kur kuptuan që serbët kanë filluar të vijnë drejt tyre. Ish-ushtari i mbante mend mirë edhe fjalët e komandantit legjendar kur nisi lufta në Prekaz, përcjell Klankosova.tv. Sipas tij, komandanti u kishte thënë familjarëve e ushtarëve të tij se kishte ardhur koha për t’i treguar Serbisë si luftohet për atdhe. Por, krahas plumbave që shkrepnin në të gjitha anët, të kullat e Jasharëve jehonte edhe kënga. “Shqipërinë dua se jam shqiptar, Kosovën e dua se jam kosovar”, ishte kënga që u jepte kurajo për luftë ushtarëve të komandanti legjendar, Adem Jashari. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS Më poshtë mund të ndiqni storjen e përgatitur nga Klan Kosova më 05.03.2021: 10:29 – Haradinaj: Në Prekaz ka ndodhur kthesa e vetëdijes kombëtare dhe vetëdijes për çlirim Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, për nder të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, si dhe përvjetorit të sulmit të tretë të forcave serbe, ndaj familjes Jashari. Haradinaj tha se në Prekaz ka ndodhur kthesa e vetëdijes kombëtare dhe vetëdijes për çlirim, njofton Klankosova.tv. “Sot, më 5 mars, me bashkëluftëtarë nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojeve shqiptare, me kolegë, me deputetë, kryetar komunash, me të ri e të reja, nderojmë këtu në Prekaz, në vendin ku ka ndodhur kthesa e vetëdijes sonë kombëtare, e vetëdijes për çlirim, e ku i gjithë populli pranoi kushtrimin prej këtu, për t’u përballë, për të luftuar, deri në çlirim”, tha Haradinaj, pas homazheve. “Mu në këtë vend pushojnë legjendarët tonë, komandanti ynë, Adem Jashari, familja Jashari, por po ashtu prej këtij vendi, nisemi gjithmonë më të fortë, për të gjitha ato sfida e punët që na presin”. “I përjetshëm kujtimi për të rënët për liri, për familjen Jashari, për komandantin legjendar Ademi Jashari”, përfundoi Hardinaj. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS 07:45 – 25 vjet nga rënia heroike e Jasharëve, sot nis Epopeja Sot bëhen 25 vite që nga rrethimi i familjes së Jasharëve, në Prekaz të Drenicës. Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kishte koncentruar në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së, duke i bërë asaj një rrethim të hekurt. Ajo që kishte ndodhur në fillimet e marsit të vitit 1998 ka qenë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje aq e drejtpërdrejtë dhe aq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit, ka ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo kishte lënë të kuptohej se atje do të kishte rrethim të hekurt. Pikërisht, më 5 mars bëhen 25 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë. Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova kishte mundur frikën me çka i kishte hapur shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve ishte ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi, që shekuj e vite i kishte dhënë shumë Kosovës. Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica kishin qenë të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi kishte qenë vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën që ishin duke ia bërë regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Më 30 dhjetor të vitit 1991, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kishin kryer në muajin janar, 1998. Më 22 janar, forcat serbe kishin sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kishin rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që kishte zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kishin mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i kishin shkuar miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kishin kërkuar kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë” dhe kishin vendosen të qëndronin. Kishin qëndruar për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre. Sulmi i tretë, që kishte ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i kishte mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia kishte dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe kishte arritur t’i shpëtonte sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila kishte parë dhe përjetuar tmerrin, derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj. Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars do të organizojë manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Sot do të nisin homazhet në Prekaz, derisa në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, duke nisur nga ora 12:00 do të zhvillohet ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së. Kurse, nesër do të vazhdojnë homazhet në Prekaz, pastaj Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne, e pasdite do të mbahet Akademi Përkujtimore. Ndërsa, më 7 mars do të zhvillohet nata e zjarreve në Prekaz, si dhe një program artistik në sheshin e Skenderajt./KP Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Osmani: Mbrojtja e të drejtave të pacientëve, indikator i rëndësishëm i funksionimit demokratik të shtetit 2 orë më parë