225 vjet nga lindja e Schubertit, romantikut të madh NULL NULL 31.01.2022 17:27 31.01.2022 17:27 Njerëzit që kanë shije të mirë muzikore, që i dëgjojnë dhe shijojnë me afsh veprat e kompozitorëve të mëdhenj, padyshim, e dinë kush është Franz Schuberti. Ai është ndër klasikët e vonë dhe nismëtarët e periudhës së romantizmit në muzikë. Schuberti me të drejtë konsiderohet njëri ndër kompozitorët më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Vërtet, muzika e tij vjen në veshë e ëmbël, dehëse, trallisëse, të merr e të shpie në horizonte të largëta, ku pluskojnë ndjenjat e bukura me dashurinë si kurorëzim. Franz Schubert u lind në po këtë datë, 31 janar, 1797, në Himelfordgund të Austrisë. I rrethuar nga instrumentet dhe tingujt, mësimet e para nisi t’i marrë në familjen e tij muzikante, duke shfaqur talentin e jashtëzakonshëm. Prirja e Schubertit të ri në muzikë u pikas nga i ati, që ishte mësues muzike. Më pas mori mësime në kishën lokale, duke luajtur në violinë e organo. Kështu ai arrin t’i marrë vëmendjen kompozitorit italian Antonio Salieri, që atëkohë ishte ndër personat më të nderuar në Vjenë dhe njëri ndër muzikantët më të shquar. U bë nxënës i tij. Mësoi shumë. Aftësitë e Schubertit në kompozim ishin të jashtëzakonshme, ndaj udhëhoqi orkestrën e Stadtkonviktit si dhe mori mësime shtesë nga mësuesi, Salieri. Schuberti po e mahniste tërë Vjenën me aftësitë e tij. Kështu e nisi karrierën: shkroi pjesë kamertale e pjesë për piano; u takua me sopranon Therese Grob, me të cilën interpretoi në vitin 1814. Franz Schuberti futet në mesin e kompozitorëve novatorë më të shquar; bashkë me Beethovenin u bë figura madhore e romantizmit. Schuberti u bë i famshëm për idetë e reja dhe përsosmërinë në kompozim. Megjithëse nuk mundi të zhvillojë karrierë të gjatë (vdiq në moshë të re 31-vjeçare), shkroi rreth 600 melodi, nëntë simfoni, muzikë liturgjike, operë, muzikë solo & pjesë të ndryshme për piano. Pasioni i madh për muzikën, puna dhe talenti e bëjnë Schubertin artist poliedrik, që i dha shumë botës muzikore; kompozimet që krijoi dallohen për bukurinë dhe qartësinë e ndjenjave romantike, lirizmin dhe dashurinë si aureolë e jetës./EO