22 mijë pacientë kërkuan ndihmë në Psikiatri, veç 68 shtretër në dispozicion (VIDEO) NULL NULL 17.06.2025 19:34 17.06.2025 19:34 Në korridoret e zbehta të Klinikës së Psikiatrisë në Prishtinë, çdo ditë hyn dikush që lufton betejën më të rëndë, atë me mendjen. Disa vijnë me sy të trembur, të shoqëruar nga familjarë të shqetësuar. Të tjerë rikthehen për herë të disatë, të lodhur nga një luftë e gjatë me relapset e çrregullimeve kronike, raporton Kiks Kosova. Vetëm gjatë vitit 2024, rreth 22 mijë pacientë kanë marrë shërbime ambulantore dhe spitalore në këtë klinikë. Ndërsa në pesë muajt e parë të vitit 2025, janë 9,230 pacientë që tashmë kanë kërkuar ndihmë. Por shifrat janë vetëm maja e ajsbergut. Brenda mureve të këtij institucioni, shumica e rasteve nuk janë emergjenca kalimtare. Vetëm 60 prej tyre kanë pasur nevojë për trajtim afatshkurtër, ndërsa të tjerët kanë hyrë në ciklin e gjatë të trajtimit për sëmundje që nuk shërohen lehtë, skizofrenia, çrregullimet psikotike, depresioni i thellë dhe abuzimi me substanca. Nga Klinika e Psikiatrisë në QKUK, i thanë Kiks-it se aktualisht janë në dispozicion vetëm 68 shtretër. E vetëm 24 psikiatër, 15 për të rritur dhe 9 për fëmijë, mbajnë mbi supe barrën e shëndetit mendor të të gjithë këtyre pacientëve. Përveç tyre, janë vetëm dy punëtorë socialë. Në dymbëdhjetë muajt e fundit, Klinika ka trajtuar 1,900 raste urgjente, shpesh episode krize që vijnë në mes të natës, pas një tentative vetëvrasjeje apo një shpërthimi agresiv. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.