21 maturantë nga Gjilani thonë se u larguan padrejtësisht nga Provimi i Maturës, paralajmërojnë ankesë në MAShTI NULL NULL nga Liridona Gashi 21.06.2025 19:05 nga Liridona Gashi 21.06.2025 19:05 Pamje nga Provimi i Maturës Shtetërore / Arkiv. Foto: Matura Shtetërore 18 mijë e 800 maturantë patën të drejtë t’i nënshtrohen sot pjesës së parë të Provimit të Maturës Shtetërore. E si rëndom, edhe kësaj radhe u raportua për parregullsi, por pati edhe ankesa nga ata që iu nënshtruan testit. Janë rreth 21 maturantë të Gjilanit, të cilët po pretendojnë se u larguan padrejtësisht nga dy klasa ku kishin për t’iu nënshtruar provimit në Shkollën e Muzikës dhe Arteve në Gjilan. Këta thonë se u larguan para se t’iu shpërndaheshin edhe fletët e provimit. Arsye për largimin e tyre, këta thonë se ishte fakti se telefonat i lanë në tavolinën para ku qëndrojnë dhe ulen profesorët. Njëra nga nxënëset e përjashtuara, për Klankosova.tv ka thënë se në momentin që profesori i angazhuar për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e provimit ka qenë duke i shpërndarë teste, “në klasë ka hyrë një zyrtar i MAShTI-t i cili na ka larguar tërë klasën”. Për këtë rast Klankosova.tv ka kontaktuar drejtorin e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Shpend Nuhiun. I njëjti është shprehur se është njoftuar me rastin nga prindërit e nxënësve. “Më është bërë e ditur se nxënësit në fjalë janë njoftuar edhe kur kanë hyrë, e edhe nëpërmjet sistemit E-Kosova, madje edhe shkollat nëpërmjet pamfleteve se pajisjet elektronike, si telefonat dhe orët e mençura, janë të ndaluara”. “Në qendrën që keni marrë shqetësimin janë 21 nxënës që janë larguar. Pajisjet e tyre i kanë lënë në bankë aty përpara”, tha Nuhiu. Për ankesën e tyre se u është bërë padrejtësi, Drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit tha se ata kanë të drejtë të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes ankesave zyrtare në MAShTI. “Nëse mendojnë se u është bërë e padrejtë, pakënaqësitë mund t’i shprehin dhe të dërgojnë ankesa zyrtare në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”, tha Nuhiu për Klankosova.tv. I njëjti shtoi se udhëzimet kanë qenë të njëjta për disa vite me radhë, që nuk lejohen pajisje elektronike, si telefona dhe ora të mençura, në ambientet e qendrave të testimit. Njëzetenjë maturantët që po pretendojnë se u është bërë padrejtësi, thanë se të hënën do të parashtrojnë ankesën e tyre në MAShTI. Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka thënë në Facebook se në disa qendra testimi janë evidentuar parregullsi, kryesisht për shkak të posedimit të pajisjeve të ndaluara, si telefonat mobilë, dhe si pasojë disa nxënës janë larguar nga testimi. Në total, numri i nxënësve të larguar nga qendrat e testimit në Gjilan është 45. Klankosova.tv i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Arsimit për këtë rast dhe është në pritje të një përgjigjeje zyrtare. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Jashari takohet me komandantin amerikan, theksohet performanca e dalluar e ushtarëve të FSK-së në SHBA 10 orë më parë
Kosova Shea për Klankosova.tv: Konflikti Izrael–Iran mund ta lërë Kosovën jashtë vëmendjes ndërkombëtare 11 orë më parë