9:51, 31 Maj 2020

Nuk ka ende një datë të saktë për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për këtë shteti shqiptar duhet të plotësojë disa kushte para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare. Ministri në detyrë i Jashtëm, Gent Cakaj thotë se Shqipëria para çeljes së negociatave, duhet të përmbyll reformën elektorale.

Ai thotë se tanimë është formuar edhe zyrtarisht grupi negociator dhe se janë gati për të filluar këtë proces.

“Duke pasur parasysh këtë fushë të angazhimeve që kemi bërë ne vetëm kemi akumuluar një përvojë të konsiderueshme për negocimin me Bashkimin Evropian, tash më kemi krijuar edhe zyrtarisht grupin negociator, i cili përbëhet prej krye negociatorit, grupeve të punës dhe janë negociatorët që janë krerët e kapitujve kryesorë dhe kësisoj tani po punojmë edhe me komisionin për caktimin e kornizës negociuse dhe pozicionit negociator, gjë që nënkupton që jemi saktësisht në kohë për të filluar procesin dhe kemi përgatitjet e nevojshme për të përparuar tutje në këtë proces”.

Megjithatë, Cakaj nuk përmend një datë se kur mund të fillojë procesi i negociatave, por që bën të ditur se duhet të plotësohen disa kushte para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare.

“Nuk kemi datë, për shkak të disa faktorëve, e para unë dua të nënvizojë sepse ka pasur një keqkuptim të madh në publik fakti që nuk është vënë data, ka lënë hapësirë të interpretohet që realisht nuk ka filluar procesi negociator. Konferenca ndër qeveritare është e vërtetë që është kurorëzimi simbolik i fillimit të negociatave por realisht në çfarë do procesi negociatoë, ajo nuk është pikë fillimi sepse pikë fillimi është procesi i skrining të dy palësh edhe puna që bëhet me komisionin për përcaktimin e kornizës negociouese, pa përfundim të kësaj faze nuk mund të ketë as mbajtje të konferencës së parë ndër qeveritare, në këtë kuptim Shqipëria ka filluar pavarësisht faktit që nuk ka datë për konferencën në procesin negociator saktësisht siç ka filluar çdo vend para saj. Ndërkaq arsyeja që nuk ka datë e para sepse në rastin e Shqipërisë janë disa kushte për tu plotësuar përpara mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare dhe reforma elektorale është një prej tyre, tash më besoj që shumë shpejtë është çështje ditësh kur ne do ta mbyllim reformën elektorale”.

Ai shton se situata pandemike në vend dhe jo vetëm, është një faktor tjetër për mos fillimin e negociatave të BE-së me Shqipërinë.

Ndër tjera, ai flet edhe për Samitin e Zagrebit të mbajtur me 6 maj, ku thekson se Bashkimi Evropian ka mobilizuar një fond të konsiderueshëm për Ballkanin Perëndimor.

“Samiti është përqendruar krejtësisht tek çështja e menaxhimit të pandemisë, vlen të theksohet që BE-ja, e ka mobilizuar një fond të konsiderueshëm për Ballkanin Perëndimorë në përgjithësi, qoftë në projektet për konsolidimin e sektorit shëndetësorë, qoftë në projektet për rimëkëmbjen ekonomike që janë shumë të nevojshme. Prandaj Samiti i Zagrebit nuk mund të quhet se ka qenë një Samit ku tema e zgjerimit edhe është pritur të jetë qendrore dhe në këtë kuptim dështimi ose suksesi duhet të maten në raport me pritjet. Thjesht tema ka qenë tjetër, por presidenca kroate nuk duhet harruar se ka marrë dy vendime tepër të rëndësishme për procesin e zgjerimit, dhe kjo presidencës kroate e bën më të suksesshëm të BE-së, sepse është marrë vendimi pozitiv për negociatat për anëtarësim me republikën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Cakaj për Kosovapress.

Samiti i Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është mbajtur me 6 maj përmes video-konferencës. Ky samit sigurojë ka nxjerrë në pah solidaritetin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në këto kohë krize.

Partnerët në rajon kanë kontribuar për të ndihmuar shtetet anëtare të BE-së, ndërsa Bashkimi Evropian ka mobilizuar mbi 3.3 miliardë euro për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor në luftën kundër Covid-19.

Konkurs Pune

Lexo më shumë