41 pacientë të infektuar me HIV marrin trajtim në repartin e Klinikës Infektive NULL NULL 01.12.2021 15:48 01.12.2021 15:48 Në vitin 2021 në Kosovë janë regjistruar tetë raste të reja me HIV infeksion, prej tyre shtatë janë nga komuniteti meshkujt që bëjnë marrdhënie me meshkuj (MSM) dhe një fëmijë nën moshën 15 vjeç, ndërsa aktualisht në Klinikën Infektive shërbime mjekësore pas infektimit me HIV-AIDS po marrin 41 pacientë. Në Kosovë gjinia më e atakuar nga ky lloj i infektimit është ajo mashkullore, ndërsa me përqindje të infektimit prijnë moshat e reja. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress shefi i Repartit për HIV brenda Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Murat Mehmeti. Ai tha se gjendja e këtyre pacientëve është relativisht e mirë dhe se trajtimi i tyre bëhet në kushte shtëpie. “Tash për tash në evidencën tonë i kemi 41 raste të cilët trajtohen, marrin terapinë me rregull dhe në përgjithësi janë pacientë, të cilët ndihen mirë dhe nuk kanë ndonjë telashe të veçantë. Këtë vit i kemi pasur deri tani kur po flasim gjithsej 8 raste të reja, të cilat sigurisht janë vendosur nën terapi menjëherë dhe janë nën trajtim dhe në përgjithësi janë në gjendje relativisht të mirë shëndetësore”. Mehmeti thotë se moshat më të prekura nga ky lloj infeksioni, për të cilën ende nuk është zbuluar një vaksinë, janë kryesisht të rinjtë. “Sikurse çdokund, sigurisht që mosha më e prekur është mosha seksualisht aktive dhe në përgjithësi janë moshat e reja dhe këto rastet e reja që i përmenda i takojnë kryesisht moshës së re”. Shefi i Repartit për HIV brenda Klinikës Infektive pranë QKUK-së, Murat Mehmeti, po ashtu theksoi se kjo klinikë është e furnizuar mirë me këtë terapi mjekësore për të infektuarit me këtë virus. Ai madje u shpreh se barnat ofrohen falas për këta pacientë. “Ne tash për tash jemi të furnizuar mirë me këtë terapi, për koston nuk kam ndonjë shifër të caktuar për faktin se kjo terapi sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe për pacientët është terapi falas”. Duke qenë që edhe në vitin 2021 Kosova vazhdon të ballafaqohet edhe me pandeminë COVID-19, të gjithë pacientët e infektuar me HIV/AIDS kanë marrë të gjitha shërbimet mjekësore të duhura. “Duke qenë se kemi qenë në pandemi dhe kemi pasur një fluks jashtëzakonisht të madh, klinika realisht ka qenë e stërmbushur me pacientë, ne megjithatë kemi arritur që personat me HIV t’i mbikëqyrim brenda mundësive që kemi pasur. Ajo çka është më e rëndësishme se këta persona që pavarësisht pandemisë dhe COVID-it, nuk kanë mbetur në asnjë moment pa terapi, që është gjëja më e rëndësishme dhe po ashtu sa u përket edhe analizave që ne i planifikojmë për këta persona, i kemi realizuar. Me një fjalë, nuk është që i kemi anashkaluar edhe personat me HIV, përkundër pandemisë”. Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës thotë se në Kosovë deri më tani janë raportuar 139 raste me HIV dhe AIDS. Përqindja më e lartë i takon gjinisë mashkullore me gjithsej 73%. “Që nga viti 1986 deri më 1 dhjetor të vitit 2021, në Kosovë janë raportuar 139 raste me HIV dhe AIDS. Numri më i madh i takon gjinisë mashkullore (73%). Grupmosha më e atakuar është 25-34 vjeç (31%) dhe grup mosha 35-44 po ashtu 31%. Deri më tani 50 kanë vdekur si pasojë e AIDS-it. Në vitin 2021, janë raportuar 8 raste me HIV infeksion, prej tyre 7 janë nga komuniteti MSM dhe një fëmijë nën moshën 15 vjeç”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së. Gjatë ditës së sotme edhe Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për t’u testuar në kohë për virusin HIV. Nga Ministria e Shëndetësisë deklarojnë po ashtu se për trajtimin e pacientëve të infektuar me HIV është arritur të sigurohet terapia ARV. “Ministria e Shëndetësisë po ndërmerr masa jo vetëm sa i takon trajtimit të personave me HIV por edhe për të parandaluar infeksionin, veçanërisht te popullata kyçe. Ministria e Shëndetësisë siguron terapinë ARV për të gjithë të infektuarit me HIV. Trajtimi i rasteve me HIV bëhet në Kliniken Infektive të QKUK-së. Edhe gjatë këtij viti, edhe përkundër pandemisë, në asnjë rast nuk është ndërprerë dhënia e kësaj terapie”, thuhet në thirrjen e MSh-së. Rasti i parë i infektimit me HIV/AIDS në Kosovë është regjistruar në vitin 1986. Transmetimi i HIV-it mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit të njeriut si gjaku./KP *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Vdekja e 27-vjeçarit, Shishani: Pa u bërë 24 orë dikush duhet të japë dorëheqje 10 orë më parë
Kosova Granti për ish-zyrtarin e komunës së Gjilanit- favor apo shkelje ligjore? (VIDEO) 12 orë më parë