Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, është ftuar për të marrë pjesë në ngjarjen globale diplomatike, Forumin e 15-të të Dohas, që po mbahet në Shtetin e Katarit.

18:52, 11 Maj 2015

Forumi fillon punimet sot , ndërsa në mesin e pjesëmarrësve do të jenë kryeministri i Katarit, Abdullah bin Nasser bin Khalifa Al Thani, liderët e Irakut, Tunizisë, Malajzisë si dhe ekspertë dhe analistë nga mbarë bota.

Gjatë ditës së sotme, Selimi zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të vendit nikoqir.

Ai u prit edhe nga homologu i tij në ministrinë e Jashtme të Katarit, Mohammed Bin Abdullah Bin Mutib Al Rumaihi, me të cilin pati një bisedë të ngrohtë të përqendruar në marrëdhëniet bilaterale, gjendjen në Kosovë dhe rajon, projektet e përbashkëta si dhe bashkëpunimin në kuadër të lobimit për anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare.

Zëvendësministri Selimi është i shoqëruar nga ambasadori jorezident i Republikës së Kosovës në Doha, Rexhep Boja.