Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LAJMI I FUNDIT: Ramush Haradinaj nuk është më në listën e INTERPOL-it

NULL NULL
01.12.2017 22:00

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk është më në listën e personave që kërkohen nga INTERPOL-i.

Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosovën, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili ka thënë se për këtë janë njoftuar pasditen e sotme.

I pari i ekzekutivit kosovar ishte ndaluar në Francë më 4 janar të vitit 2017 bazuar në një fletëarrest të shtetit serb.

Gjykata në Colmar të Francës kishte rrëzuar kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-komandantit të UÇK-së, pasi kishte analizuar të gjitha dëshmitë dhe dosjet e dorëzuara nga shteti serb.

Haradinaj që ishte ndaluar në aeroportin e Baselit të Zvicrës, në bazë të akuzave për krime lufte nga Serbia u lirua pas katër muajve, më 27 prill të vitit 2017.

Pas kësaj ngjarje, autoritetet kosovare kanë kërkuar tërheqjen e emrit të kryeministrit Haradinaj dhe kosovarëve të tjerë nga lista e INTERPOL-it, bazuar në fletëarrestet e Serbisë.

Haradinaj ishte ndaluar edhe në qershor të vitit 2015, nga autoritetet sllovene, në bazë të këtij fletëarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Pas dy ditëve, pas reagimeve edhe nga autoritetet e Kosovës, ai ishte liruar.

Haradinaj është gjykuar dy herë në Hagë nën akuzat për krime lufte.

Ai pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, më 8 mars të vitit 2005, vetëm pak muaj pasi kishte marrë këtë detyrë për t’u dorëzuar më pas në mënyrë vullnetare në Gjykatën e Hagës.

Ai  u shpall i pafajshëm në vitin 2008 derisa edhe një proces tjetër gjyqësore ndaj tij ishte iniciuar në po të njëjtën gjykatë, por që sërish ai u shpallë i pafajshëm në vitin 2012.

 

 

 

lajme të ngjashme