11:16, 15 Mars 2017 Autor: Baton Haxhiu

 

Në Shqipëri, sulmi i të shëmtuarës është bërë i padurueshëm. Politikanët dhe politika brenda botës së tyre, jo vetëm që nuk përpiqen të jenë të këndshëm kur janë në mesin e tyre, por politikanët as që përpiqen më ta shmangin dukjen e shëmtuar. Janë bërë imunë me të. U duket pjesë e natyrshme e tyre – shëmtia.

Katër vjet më herët kisha shkruar një shkrim për “koalicionin antihistorik”.

Sot kur po shkruaj dhe kujtoë shkrimin tim për mundësinë e koalicionit PD-LSI, shoh se kam pasur plotësisht të drejtë. Ngase teza del e padeklasueshme edhe sot: Koalicioni PS-LSI, nëse bëhet, është antihistorik. I padobishëm,  jovizionar. Madje tepër i rrezikshem. Është diçka si moçal – që nëse derdhet, baltos gjithçka dhe gropos nën vete çdo shpresë.

E di që kjo nuk do të ndodh, por ky koalicion si i bërë mbetet antihistorik.

Le të shpjegohemi më konkretisht.

PS ka nisur t’i dorëzohet çadrës. PD s’ka shanse në zgjedhje, prandaj beson se nëpërmjet bojkotit, kaosit, të nis rrugën e regjenerimit të saj. Ilir Meta, për të shpëtuar botën e tij që shtrihen në mbarë hartën etnike në Ballkan, është në gjendje të bëhet bërthama e krizës.

Do të shpëtojë Shqipëria kësaj radhe nga përmbysja që ia bëjmë vetë ne, për t’u kthyer në zeron e saj aq kronike, apo do t’ia dalë të kapërcejë veten?

Gjithe kjo varet vetëm nga Edi Rama.

Pse e them këtë? Sepse gjithë kjo ka një histori – dhe kjo histori ka ngjajshmëri në formë, por jo në përmbajtje. Si është historia e përsëritshme me pak fjalë dhe çka del nga ajo?

Kështu njëjtë nisi dikur Edi Rama grevën e urisë. Nën çadër. Sali Berisha atëbotë nuk përfillte kushtet. Dhe kishte fituar zgjedhjet.

Çadra e kësaj radhe e ka një “përparësi”: ajo ia doli t’i fus ankthin Edi Ramës, i cili tashmë ia ka nisur të prodhojë veprime irracionale. Kështu duke u bërë pré e logjikës aktuale të Sali Berishës. Mendësi që për bosht ka vetëbesimin se duke pranuar e ushtruar vetëvrasjen, në udhë e sipër, me vete do ta marrë në ferr edhe kundërshtarin politik.

Prognoza është e qartë: nëse Edi Rama lejon dhe vazhdon të prodhojë politikë sipas diktatit të çadrës, liderizmi i tij numëron ditët e fundit. Largimi i ministrave, e sidomos i Saimir Tahirit pas një qëndrimi kaq të shkurtër në një resor aq delikat, është dështim kapital i qeverisjes.

Ai ka gabime, për të cilat jo pak homologë të tij lartë e poshtë globit kanë dhënë dorëheqje, por jo ata kolegë që tentojnë të bëjnë diçka në një shoqëri si kjo shqiptarja, e cila në 25 vitet e fundit ka funksionuar ekskluzivisht mbi premisa kriminale.

Shoqëria shqiptare është e korruptuar në çdo sferë e cep të saj. Ka ndërtuar diskurs pozitiv për të fortin. Mitin për drogmenët dhe biznismenët e paprekur. Rrugën e politikës si përfitim të vetëm në shoqëri dhe gjuhën që lavdëron të palavdërueshëm.

Aq më keq që ka ndërtuar edhe njeriun e keq të riciklueshëm, që bëhet hero sepse na del para vetes një e keqe me e vogël, për të shpëtuar nga e keqja më e madhe.

Për një dekadë e më shumë ka qenë një fshat kanabisi që ka pushtuar Shqipërinë me lekë. Dhe na dilka koka e turkut për të gjitha të bëmat në shoqërinë shqiptare. Emri: Saimir Tahiri.

Prandaj, me aq lehtësi ta akuzosh si të dështuar një ministër se pse nuk e zhbëri atë sistem për 3 vjet nuk është pragmatizëm, por dështim përballë një “çadre” në të cilën rrinë ulur përgjegjësit e instalimit të atij sistemi të korruptuar afro tridekadësh.

Këto janë faktet që jo se i mblodhëm diku, porse i ka përjetuar çdo i gjallë dhe jo i kapur nga i njëjti sistem.

Këtu qëndron edhe dallimi esencial i Çadrës 1 nga Çadra 2.

Respekti i Ramës karshi përmbajtjes së çadrës për të drejtën e protestimit është për t’u pasur zili. Por, nuk duhet hequr nga vëmendja se organizatorët e çadrës nuk janë shoqëria civile që kërkon drejtësi, por ata që sabotojnë reformat për drejtësi; ata që kanë frikë të vihet ligjësia se i penalizon për shumëçka. Përndryshe, ku është logjika e refuzimit brutal të kësaj reforme që iniciohet e mbështetet nga perëndimorët?

Shumica e analistëve që përtojnë të analizojnë dhe nuk janë të varur nga interesat personale me njërin bllok apo tjetrin, e dinë se PD – sipas trendëve aktualë – nuk do hyjë në zgjedhje. S’ka potencial as për shpresë e as për besim për ndonjë mrekulli.

Sipas sjelljeve, deklaratave dhe përmasave të subversionit ndaj procedimit institucional të kundërshtive, shihet se zgjedhjet as që janë synimi. PD e di sa e ka kapacitetin, prandaj ka zgjedhur metodën e futjes së vendit në një krizë konstante.

Këtë pritet që ta shtrijë në mbarë vendin, duke shpërqendruar “protestën” nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Me këtë shpërndarje ajo ka për qëllim krijimin e sa më shumë zonave të paqeverisshme nga pushteti aktual. Me mos-shkuarjen në zgjedhje do ta sabotonte demokracinë, ngase do të rrëzonte pjesëmarrjen elektorale nën 30%, pra mbi 20% më pak se ç’është zakonisht. Kushdo që t’i fitonte zgjedhjet e ardhshme nuk do qeveriste dot më shumë se 1-2 vite, ngase përfaqësimi nuk disponon me legjitimitetin e nevojshëm për t’u quajtur qeveri demokratike.

Më problematikja në këtë rrugë dydimensionale të Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës është se ata nuk kanë epilog konstruktiv për vendin, ngase të gjitha shenjat janë të natyrës përmbysëse, kaosit, pas të cilit nuk dihet se do të përmbytet Shqipëria nga njerëzit dhe situatat e pakontrollueshme, që vijnë nga qielli apo nga rreth e përqark, apo edhe kësaj radhe do të shpëtonte rastësisht.

PD e bën lojën më shumë në sajë të taktikës lozonjare të Ilir Metës. Ajo vetë nuk e kushtëzon dot qeverinë Rama me asgjë. Meta – dihet tashmë botërisht – mbështet protestën natën, për ta shfuqizuar dhe instrumentalizuar qeverinë ditën.

Ilir Meta “është helmi i socialistëve dhe melhemi i demokratëve, ndërkohë që nën kupolë nuk ndodh asgjë”, na thotë një diplomat i involvuar në krizë. Me të drejtë, së paku nuk ndodh asgjë pozitive.

Sa më shumë të zgjasë protesta, aq më tepër vë kushte Meta për të përfituar maksimumin për katër vitet që vijnë. As naivi më i skajshëm nuk beson se Ilir Meta i bashkohet sërish PD-së, ngase as të dyja, PD dhe LSI nuk i mundin tjerët.

Kjo përveç faktit se Meta është po aq hipotekë sa vetë Berisha për figurën të pakarizmë të Lulëzim Bashës.

Të parin e ka armik të përbetuar se nuk përkojnë në ideologji e mendësi, e të dytin se e trajton si trashëgimtar, garanci për t’i ikur drejtësisë.

PS duhet të kërkojë modele tjera qeverisjeje. Pa LSI-në. Jo kështu pas çjerrjes së maskave që për interesa të vogla klanesh vihet sërish në pikëpyetje ardhmëria e vendit, sidomos në relacion me BE ngase ndërpriten për shumë vite negociatat. Edi Rama ia bën varrin vetes nëse tenton të përmbush kërkesat e Ilir Metës ngase:

Aleanca me LSI, kur kemi parasysh dëmin që i shkaktohet vendit nga ky lloj koalicioni, është më se e padobishme.

Prioriteti i PS-së është Reforma në Drejtësi, ndërkaq partia e Ilir Metës saboton pikërisht këtë prioritet ngase ka komplet qëndrime tjera rreth këtij kushti të rëndësishëm që vendi të shpëtojë nga hallkat e krimit të instaluara për 25 vjet.

LSI nuk është përfaqësuese e barazisë sociale, zhvillimit ekonomik me shtrirje sa më të gjerë demokratike, që do të thotë se ka humbur statusin e një të afërmeje brenda parimeve socialdemokrate. PS duhet të kërkojë koalicione tjera.

Zhvillimet politike, siç orkestrohen nga tre kundërshtarët PS-PD-LSI, çojnë kushtimisht drejt një krize që llogaritet të zgjasë dy – tre vjet.

Kjo do të thotë: humbja e çdo mundësie për të vazhduar negociatat me BE-në, ekonomia do të pësojë rënie edhe më të thella; investitorët do ikin; shumica e njerëzve të mbetur do iknin nga vendi ngase humbin çdo arsye për të shpresuar diçka aty.

Se çka do ndodh pas kësaj krize nuk mund ta thotë askush me siguri.

Do të lind një Republikë e Re? Nëse po, atëherë pas fshirjes totale të lojtarëve të sotëm të politikës.

Po kush do t’i zëvendësonte ata?

Thyerja e kontinuitetit gjatë transferimit të politikës nga gjenerata në gjeneratë, si duket, është problemi më i madh i mendësisë shqiptare, ngase para se të ikin të vjetrit i zhdukin të rinjtë, ua mbyllin gjitha portat drejt një të ardhmeje integruese.

 

 

 

 

Lajme të tjera