Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Akademia është klan rajonal dhe partiak; Si u bënë akademikë Isa Mustafa, Arsim Bajrami e Kujtim Shala?”

NULL NULL
19.01.2017 21:42
Shkrimtari, në Zona e Debtatit në Klan Kosova, ka qenë i ashpër me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke i dhënë cilësime të ndryshme dhe goditur nivelin intelektual aty

Akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar, Rexhep Qosja në Zona e Debatit në Klan Kosova, ka kritikuar ashpër Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke e cilësuar si klan rajonal dhe një klan partiak.

Ai ka thënë se ky institucion nuk përmbushë funksionet e ekzistencës së tij, duke përmendur një varg lëshimesh e dështimesh në këtë rrafsh, njofton Klan Kosova.

“Mund të them se jeni(Klan Kosova) ndër institucionet e para që e keni ngritur diskutimin për Akademinë me rezerva për të. Sepse të tjerët pak a shumë e kanë bërë të kundërtën”.

“Akademia është themeluar me një qëllim më të lartë, shtetëror, shtetformues. Por ajo duhet të ketë edhe qëllimet tjera, të disa rrafsheve. Kjo akademi ka bërë një libër për Kosovën para disa vjetësh. Më pas kam dëgjuar se ai libër do të përkthehet anglisht, por i lutem Zotit që ajo të mos ndodhë, sepse do ta komprometonte mendimin tonë shkencor. Akademia nuk posedon materiale të ruajtura dhe të sistemuara, për t’u studiuar më pasë, që lidhen me traditën, të kaluarën dhe historinë tonë. Në arkiv të saj nuk ka dorëshkrime të shkrimtarëve dhe studiuesve të ndryshëm”.

“Në akademi mendojnë se kanë arritur kulmin. Por mund t’u them se në një libër të botuar nga akademia kohë më parë, në një faqe të tij, kam gjetur dymbëdhjetë gabime logjike”.

“Aty ka edhe individë që kanë kulturë shkrimi, që dinë të mendojë, dhe kanë dhunti krijuese. Por numri i tyre është duke u zvogëluar. Por më e keqja dhe më e palejueshmja ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara dhe ato të fundit. Në akademi pranohesh për krijimtarinë shkencore, letrare, ose artistike në përgjithësi; piktor, skulptor, kompozitor. Por këtyre të fundit tek ne u është mohuar kjo e drejtë”.

Shkrimtari ka përmendur krijues të ndryshëm që kanë vdekur ose janë refuzuar disa herë në rrugën për të qenë anëtarë akademie, ndër ta edhe veprimtar i madh i cështjes kombëtare, Adem Demaci.

“Ditë më parë vdiq Ramiz Kelmendi, që ka një fond krijimtarie të pasur. Është publicist me nam në Kosovë. Tash e 65 vjet është i pranishëm në pikëpamje shpirtërore dhe intelektuale në vend. Ai ishte figurë e madhe e krijimtarisë dhe kulturës në jetën tonë. Por vdiq pa qenë anëtar i akademisë. Është turp për atë akademi dhe turp për intelektualët që nuk kanë bërë presion që ajo gjë të ndodhë. Kemi pastaj Adem Demacin, që ka publikuar 12 vepra, pa publicistikë. Ai ka edhe 28 vepra të tjera madhështore, 28 vjet burg për Kosovën. Dhe kjo akademi me ata njerëz që e drejtojnë qe 22 vjet, nuk e ka parë të arsyeshme ta pranojë Adem Demacin. Ai s’është madje as anëtar nderi i kësaj akademie. Për të qenë cinizmi edhe më i lartë, ai botoi veprat, dhe as cmimi jetësor për veprën letrare nuk i është dhënë. Din Mehmeti, një prej poetëve më të mirë të Kosovës, vdiq pa u pranuar anëtar i akademisë. Zekrija Cana po ashtu, vdiq pa u pranuar në akademi”.

“Kemi Agim Vincën që katër herë është propozuar dhe po aq herë nuk është pranuar. Mund të them me bindje se ai është studiuesi më i mirë i gjuhës shqipe. Pastaj, Jahja Drancolli, që është historian i kohëve me të cilën nuk merret tjetërkush në Kosovë. As ai nuk pranohet në akademi. Sivjet konkurruan, Zake Prelvukaj dhe Shefkie Islamaj. Asnjëra nuk u pranuan. Shefkije Islamaj është viktimë e orientimit të saj. E mbrojtjes që i bën gjuhës standarde shqipe. Shumica e atyre që janë në akademi janë kundër standardit. Po përjashtoj Idriz Ajetin. Kemi një gjuhëtar aty që thotë: “Gjuhën shqipe duhet ta bëjmë si rrobat, që t’iu bie të gjithëve”.

Qosja më tutje ka deklaruar se sivjet në akademi janë pranuar individë që nuk panë asnjë vepër shkencore, ndërsa ka folur edhe për pranim me marrëveshjet të anëtarëve të kësaj akademie, njëri ndër të cilët, sipas tij, është ministri Arsim Bajrami, njofton Klan Kosova.

“Kemi njerëz që janë pranuar në akademi, e nuk kanë asnjë vepër shkencore”.

“Nuk është qëllim i akademisë të përtrihet. Sipas ligjit veprat e anëtarëve të akademisë duhet të kenë rëndësi të vecantë, apo kulmore. Cfarë rëndësie të vecantë kanë veprat e atyre që s’kanë vepra?”

“Akademinë e sundon një klan rajonal dhe një klan partiak, tash e njëzet e dy vjet. Me kritere partiake dhe kritere që kanë parasysh mosnjohjen e gjuhës standarde dhe të krijimit të kombit kosovar refuzojnë të tjerët. Kështu, gati e gjithë kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është në akademi. Në zgjedhjet e para katër vjetësh kur e kanë parë se ia kanë tepruar, një gjuhëtar ka shkuar tek kryeministri i atëhershëm Hashim Thaci dhe i ka thënë se kë doni ta pranoni nga Partia Demokratike e Kosovës në akademi. Dhe Thaci ka thënë se e duan ministrin Arsim Bajrami. Ata e bënë anëtar korrespodent, por tani nuk e bënë të rregullt. Sepse frikësohen se nesër mund të bëhet kryetar i saj. U pranua në akademi edhe kryetari i Prishtinës, tash kryeministër, pothuaj pa asnjë vepër. Pse u pranua ky njeri? Sepse u duhet atyre brenda akademisë për ta bërë atë vend shtëpi private. Nuk ka akademi në Europë që e pranon njeriun në pozitë shtetërore për anëtar”. /klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.