11:33, 23 Gusht 2019

Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re e kanë zyrtarizuar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor.

Dy kryetarët e subjekteve, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli, janë shprehur optimistë pas nënshkrimit të koalicionit duke thënë se janë pretendentë seriozë për t’i fituar zgjedhjet, njofton Klan Kosova.

“Besojmë se edhe në të ardhmen do të bëjmë një punë të mirë. AKR dhe Nisma mbrëmë kanë vendosur që të formojnë një koalicion. Unë do ta quaja ‘Qendra e Artë – Boshti i Mesëm”, ka thënë Behgjet Pacolli.

“AKR dhe Nisma do të jenë në koalicion parazgjedhor me listë të përbashkët. Lista do ta ketë kandidatin për kryeministër. Do të garojmë dhe do të sfidojnë në këto zgjedhje kryelartë. Kemi punuar në mënyrë të ndershme dhe transparente dhe këtë mandat e kemi kryer në mënyrë dinjitoze pa asnjë skandal”.

“Jam krenar me punë që kemi bërë. Kemi pasë bashkëpunim me Limajn. Kemi qenë edhe një zë i punës së mirë. Kemi dërguar mesazhe të mira nga Qeveria e Kosovës. Pikë e parë e AKR dhe Nisma është qytetari dhe hallet e tij”.

Ndërkaq Fatmir Limaj ka thënë se arritja e marrëveshjes për bashkëpunim mes tyre është lajm i mirë për vendin.

“Me këtë vendim që sot kemi marrë për të ndërtuar një bosht politik që presim të na bashkohen edhe forca tjera politike, tregon racionalitetin që presim ta kemi në këto zgjedhje. Besoj se koalicioni Nisma-AKR jep një shanse të tillë. Është lajm edhe për simaptizantët e dy partive tona për të thelluar bashkëpunimin”, ka thënë Limaj.

“Besoj se koalicioni ynë i ka dyert e hapura edhe për grupet tjera që janë të interesuara që t’i bashkohen këtij boshti politik. Kosovës i duhet një qeveri e fuqishme. Sot mund të them se Nisma dhe AKR do të jenë faktori kryesor në qeverisjen e ardhshme”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë