Zyrtari i NATO-s në Serbi: Presim shtensionim të plotë të situatës në veri të Kosovës NULL NULL 29.08.2023 21:44 29.08.2023 21:44 Ne ende presim të shohim një shtensionim të plotë të situatës në veri të Kosovës tha shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd, Giampiero Romano. “Të gjitha palët duhet të punojnë për të parandaluar çdo ripërshkallëzim. Dhuna mund ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe të kërcënojë aspiratat euro-atlantike të këtij rajoni”, tha Romano. Ai përshëndeti hapat e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës, që kanë të bëjnë me zvogëlimin e numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës rreth objekteve komunale në veri të Kosovës, si dhe punën për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale. “Rruga e vetme përpara është ajo përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian [BE], të cilin Aleanca Veri-atlantike e mbështet fuqishëm. Ne besojmë se Serbia, si një partnere afatgjatë e NATO-s, do të angazhohet për t’u përfshirë në një dialog të tillë në mënyrë konstruktive”, theksoi ndër tjerash shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd. Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale. Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR). Ndërkohë, Kosova dhe BE-ja arritën marrëveshje për shtensionimin e situatës, e cila parasheh shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri. Kur bëhet fjalë për ndikimin e Rusisë në Serbi dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, Romano deklaroi se shqetësimet për ndikimin e Rusisë në rajon “u bënë më intensive që kur filloi pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia”. “Ajo që po shohim në të gjithë rajonin është përhapja e dezinformatave, detyrimeve, hakerëve dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese. Kjo është arsyeja pse NATO-ja do të vazhdojë të përmirësojë bashkëpunimin me partnerët në rajon për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale”, u shpreh Romano./rel/