Zjarret në Shqipëri, zv.ministrja e Mbrojtjes: Autorët do të vihen para përgjegjësisë

Zjarret në Shqipëri, zv.ministrja e Mbrojtjes: Autorët do të vihen para përgjegjësisë

NULL NULL
2 months më parë

Zëvendës ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Dallëndyshe Bici është shprehur se autorët e zjarreve të qëllimshme në Shqipëri do të vihen para përgjegjësisë.

Efektivët e Forcave të Armatosura dhe strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes janë angazhuar këto ditë për shuarjen e vatrave të zjarreve në zona të ndryshme të vendit.

Pas izolimit të vatrës në kodrat e Ksamilit, zv/ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici deklaroi: “Unë do të kisha një thirrje për të gjithë banorët e Ksamilit, pushuesit, të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm me veprimet e tyre dhe siguroj që kushdo që me veprimet e tij rrezikon të shkatërrojë natyrën e bukur që na ka falur Zoti, do të vihet para përgjegjësisë penale. Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të gjitha strukturat e tjera përgjegjëse do të jenë në krye të detyrës për çdo situatë emergjente që mund të na paraqitet, duke pasur parasysh se jemi në stinën e verës dhe temperaturat e larta janë në disfavorin tonë”.

Agjencia e Mbrojtjes Civile bën me dije se puna për normalizimin e situatës po vijon edhe në Karaburun, ku paraqitet rasti më i vështirë, raporton A2.

Grupit të punës për shuarjen e flakëve u janë bashkuar edhe 85 forca të tjera, ndër të cilët 40 janë efektivë të FA. Po ashtu puna po vijon edhe në qarkun Fier, ku po punohet me mjete te tonazhit të rëndë.

Vatra aktive mbeten në fshatin Mazhicë, bashkia Bulqizë, ku zjarri ka djegur sipërfaqe me shkurre dhe ferra, por edhe në fshatin Delvinë, bashkia Përmet, përcjell Klankosova.tv.

Puna po vijon për normalizimin e situatës edhe në fshatin Shikaj, bashkia Kukës, në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, ku janë përfshirë nga flakët një sipërfaqe me shkurre, ullishte dhe pyll pishe.