19:52, 11 Prill 2019

Filozofi i famshëm Slavoj Zizek ka reaguar ndaj arrestimit të Jualian Assange, themeluesit të Wikileaks, që ndodhi sot në Londër, njofton Klan Kosova.

“Nuk jam befasuar. Për mua, problemi kryesor është se si do ta pranojnë njerëzit këtë akt që është rezultat i një fushate të gjatë dhe sistematike me qëllim të vrasjes së personalitetit të Assange”.

“Hapi i parë i fushatës ishte ndërlidhja e Wikileaks – organizatë e pavarur mediale e njohur për publikimin e materialeve të klasifikuara, që krenohet se asnjëherë nuk ka publikuar informata të rrejshme – me Rusinë dhe Vladimir Putinin”.

“Hapi tjetër ishte ‘vrasja e personalitetit’. Assange u portretizua si ‘arrogant’, ‘paranojak’, bile edhe ‘përdhunues’, ndonëse autoritetet suedeze i hodhën poshtë të gjitha akuzat kundër tij më 2017”.

“Thashethemet ndaj tij pastaj kaluan në nivel personal pabesueshëm të ulët, pasi thuhej se ai nuk e pastronte toaletin e tij dhe binte erë të keqe. A mund të paramendojmë ndogjë më të ulët se kjo?”.

“Arrestimi i Assange nuk ka të bëjë asgjë me hakmarrje. Ai u shndërrua në shembull të betejës së vazhdueshme për ta penguar rrjedhën e lirë të informatave. Njëjtë siç direktiva e re e Bashkimit Europian për të drejtat autoriale kërcënon ta censurojë gati gjithë shprehjen e lirë online, neutralizimi i organizatave si Wikileaks është një hap drejt kontrollimit se në cilat informata mund të kemi qasje, e në cilat jo”.

“Gjithë jeta jonë sot është e harmonizuar përmes digjitales. Prandaj, është absolutisht kruciale kush e kontrollon digjitalen. Ky është kërcënimi më i madh ndaj lirisë sonë”.

“Ne as që jemi të vetëdijshëm për këtë, pasi nuk e përjetojmë si jo-liri. Nuk është si në shtetet policore të dikurshme, kur shikoje pas shpinës dhe e shihje një person që po të ndiqte. Tash ndjehemi plotësisht të lirë, mirëpo secila lëvizje e jona regjistrohet dhe kësisoj manipulohemi në mënyrë subtile. Wikileaks e mishëronte rezistencën ndaj kësaj”.

“Nuk do ta fajësoja shumë Ekuadorin. Ky vend ishte nën presion të tmerrshëm prej Amerikës”.

“Harrojini këto shtetet e nivelit të dytë. Kjo ka të bëjë vetëm me Amerikën”.

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë