18:49, 3 Korrik 2020

Kandidati i parë shqiptar për Kryeministër në Maqedoninë e Veriut Naser Ziberi, ka komentuar propozim aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe ish-kreyparlamentarit Kadri Veseli.

Ziberi vlerëson se lufta e UÇK-së ishte e drejtë meqë këtë e dëshmon edhe çlirimi i Kosovës, njofton Klan Kosova.

”Lidhshmëritë e popullit shqiptar janë shumë të thella dhe ajo është një avantazh për të gjithë regjionin dhe në rend të parë është avantazh kombëtar”.

”Lufta Çlirimtare për çlirimin e Kosovës, nga ana e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë. Me faktin se Kosova u çlirua do të thotë se ajo luftë është e drejtë”.

”Nuk mund të ketë luftë çlirimtare që nuk është e drejtë, sepse kjo do të ishte e panatyrshme. Është e pacenueshme tendenca për të njollosur luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për çlirimin e Kosovës”.

Ai thotë në Info Magazine se mënyra se si është publikuar njoftimi i aktakuzës, është dyshuese dhe si e tillë është deklaratë politike, njofton Klan Kosova.

”Koha kur është ngritur një ide e këtillë, mënyra si është bërë kjo ndjellë tek unë dyshime serioze për bazueshmërinë dhe sinqeritetin e saj”.

”Në momentin shumë të rëndësishëm për vazhdimin e negociatave për përmbylljen definitive të marrëveshjes Kosovë-Serbi, të sulmohet në këtë mënyrë nuk i shërben arritjes së këtij qëllimi përkundrazi e pengon”.

”Të akuzosh njeriun e parë në të cilin identifikohet ajo luftë, ajo ushtri, në mënyrë gati juridikisht të palejueshme duke e publikuar aktakuzën pa u konfirmuar nga Gjykata të cilës i drejtohet, mendoj se është e motivuar politikisht, personalisht ndaj atyre që është i është drejtuar, me tendencë për ta dëmtuar procesin e arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë