Zhegrës i mungon uji, ujësjellësi thotë se u kalua kriza (VIDEO)

Zhegrës i mungon uji, ujësjellësi thotë se u kalua kriza (VIDEO)

NULL NULL
nga Flamur Gajtani 4 ditë më parë

Kadri Bajrami nga Zhegra e Gjilanit ujin për nevojat shtëpiake e siguron me bidonë dhe duke e bartur nga fshati fqinj i Stançiqit.

Bajrami ankohet, se pavarësisht kyçjes në sistemin e ujësjellësit katër vjet më parë, ai asnjëherë nuk ishte plotësisht funksional.

E situata u vështirësua edhe më shumë, kur së fundi furnizimi me ujë u përgjysmua si pasojë e avarive elektrike në rrjet.

“Edhe pse është lëshuar ujësjellësi, ne kurrë nuk kemi pasë ujë si duhet. Që tre muaj jemi pa ujë – vetëm ndonjëherë vjen, por edhe atë në sasi shumë të vogël”, ka thënë Bajrami.

Banorët u ankuan vazhdimisht për këtë telash, por sipas Shemsedin Elezit morën vetëm premtime boshe.

“Kompania e cila ka marrë përsipër mirëmbajtjen e rrjetit duhet ta ketë parasysh se këtu janë 400-500 shtëpi që shfrytëzojnë rrjetin, prandaj duhet t’iu japë përparësi atyre para 2-3 shtëpive që mund të kenë probleme diku tjetër”, ka shtuar Elezi.

Vëmendje për zgjidhjen e problemit të ujit për zhegrasit kërkon edhe përfaqësuesi i tyre Muhadin Haziri.

“Kompania t’i marrë më seriozisht këto punë se Zhegra është një lokalitet i cili ka numër më të madh të banorëve pas Gjilanit, prandaj këtë kërkesë duhet ta kenë në konsideratë”, ka deklaruar ai.

Por, drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ”Hidromorava”, Muhamet Suliqi, mohon se pati reduktime të gjata, ndërsa shton se telashet tashmë morën fund.

“Për shkak të kontaktorëve të cilët dje janë kryer. Arsyeja është se përgjegjësin e elektromekanikës e kam pasur në gjendje të rëndë shkaku i pandemisë, ku ekzistojnë edhe dëshmitë në kompani”, ka sqaruar Suliqi.

Ai apelon tek banorët e Zhegrës, por edhe të tërë Anamoravës, që t’i paguajnë faturat e ujit, përndryshe do të përballen me procedura përmbarimore.