Lajmet e fundit

Pas një jave, Bashkimi Evropian, pritet të marrë një vendim strategjik.
Komisioni Evropian do propozojë kufizimin e disa të drejtave për anëtarët e ardhshëm të BE-së, si dhe kalimin në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar, në vend të unanimitetit, në një numër fushash kritike, përfshirë atë të zgjerimit.
Strategjia e re e zgjerimit, që është ende draft-dokument, planifikohet të miratohet e publikohet më 7 tetor, kjo pas disa shtyrjeve.
Kjo strategji prek detajisht aspiratën e gjashtë republikave të Ballkanit Perëndimor, sikur dhe Ukrainës e Moldavisë, të hyjnë në bllokun që për momentin ka 27 vende anëtare.
E gazeta “Politico” raportoi se Brukseli, ka Plan-Veprimin e posaçëm, për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë e Ukrainën, që atyre iu jepet rruga e qartë, e me detaje drejt anëtarësimit në BE.
Jashtë këtij plani, tani mbeten katër vende aspiruese për t'u bërë anëtare të Unionit, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja, dhe Serbia.
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika, thotë se Kosova, ndodhet krejt jashtë planeve evropiane të zgjerimit.
Andaj, kërkohet, sipas tij, një politikë e re e raporteve Prishtinë-Bruksel.
Të enjten në Kosovë, në kuadër të turneut të saj tradicional në rajon, qëndron për vizitë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen.
Bashkimi Evropian, ndërkohë njoftoi edhe datat se kur liderët e bllokut dhe të shteteve anëtare mblidhen për Diskutimin Strategjik për Zgjerim dhe Reformat e brendshme.