Lajmet e fundit

Në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026, votimi me asistencë është evidentuar në 3.491 raste, që përbëjnë rreth 0.48 për qind të gjithsej 725,701 votuesve që morën pjesë në procesin zgjedhor.
Sipas të dhënave të administruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dallime të theksuara janë evidentuar ndërmjet komunave sa i përket përdorimit të votimit me asistencë, transmeton Klankosova.tv.
Përqindjen më të lartë e ka regjistruar Komuna e Novobërdës, me 3.80 për qind të rasteve të votimit me asistencë. Pas saj renditen Deçani me 1.57 për qind, Istogu me 1.25 për qind dhe Peja me 1.07 për qind.
Në anën tjetër, përqindjet më të ulëta janë evidentuar në Mamushë, me 0.00 për qind, Leposaviq me 0.01 për qind, Mitrovicë të Veriut me 0.06 për qind, Zubin Potok me 0.14 për qind dhe Ranillug me 0.15 për qind.
Në numër absolut të rasteve, prin Peja me 416 votime me asistencë. Pas saj janë Prishtina me 279 raste, Ferizaj me 241, Vushtrria me 215, Deçani me 202, Istogu me 194 dhe Novobërda me 192 raste.
Të dhënat tregojnë se numri absolut i rasteve dhe përqindja e tyre nuk japin domosdoshmërisht të njëjtën pamje. Komunat me numër më të madh votuesish mund të kenë më shumë raste në vlerë absolute, por përqindje më të ulët në raport me numrin e përgjithshëm të votuesve.
Nga analiza sipas arsyes së evidentuar, kategoria me numrin më të madh të rasteve është ajo e “problemeve shëndetësore”, me 1.086 raste ose 31.11 për qind të totalit.
Pas saj renditen “vështirësi me shikim”, me 630 raste (18.05 për qind), “aftësi të kufizuara”, me 592 raste (16.96 për qind), “analfabet”, me 333 raste (9.54 për qind), “i/e moshuar”, me 327 raste (9.37 për qind) dhe “i verbër”, me 276 raste (7.91 për qind).
Në 120 raste (3.44 për qind) mungon arsyetimi, ndërsa 108 raste (3.09 për qind) janë evidentuar me arsyetimin “nuk din të votojë”. Në 19 raste, ose 0.54 për qind të totalit, asistenca është shënuar “me kërkesë të votuesit”.
Sipas analizës, kategoritë “aftësi të kufizuara” dhe “i verbër”, të cilat janë të parashikuara në legjislacionin zgjedhor, përbëjnë së bashku 868 raste, apo rreth 24.87 për qind të rasteve të votimit me asistencë.
Të dhënat sipas grupmoshave tregojnë se votuesit e moshës 65 vjeç e lart përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve të votimit me asistencë.
Në këtë grupmoshë janë evidentuar 2.046 raste, ose rreth 64 për qind e rasteve për të cilat ka qenë e mundur të përcaktohet mosha.
Më pas renditen grupmosha 51-60 vjeç me 292 raste, 61-65 vjeç me 225 raste, 18-30 vjeç me 209 raste, 41-50 vjeç me 195 raste dhe 31-40 vjeç me 192 raste.
Analiza është bazuar në 3.177 raste, pasi në 332 raste nuk ka qenë e mundur të identifikohej grupmosha për shkak të evidentimit të pasaktë të numrit personal të votuesit në Librin e Votimit.
Në ndarjen sipas gjinisë, të dhënat tregojnë se gratë përbëjnë shumicën e votuesve që kanë përdorur asistencën.
Nga gjithsej rastet e analizuara, 1.996 janë femra, ndërsa 1.163 janë meshkuj.
Situata ndryshon te personat që kanë ofruar asistencën. Në këtë kategori janë evidentuar 2.080 meshkuj dhe 1.028 femra.
Sipas analizës, ky raport gjinor është relativisht i qëndrueshëm në shumicën e komunave.