11:42, 15 Nëntor 2019

Regjisorja, Blerta Zeqiri, ka treguar në Klan Kosova se pse është paditur nga kolegu i saj në lidhje me filmin “Kthimi”dhe se si ndihet tani që gjykata ka vendosur në favor të saj.

E ftuar në rubrikën “Sytë 7” të emisionit të mëngjesit në Klan Kosova, ajo ka treguar se ky konflikt ka qenë një procedurë e dhimbshme për të.

“Kjo punë ka ndodhur shumë moti, në vitin 2011, ku kisha punuar një film në kuadër të festivalit “Nine Eleven”, që është një OJQ. Ai film pastaj pati sukses dhe në momentin kur filluan të vijnë sukseset e tij të njëpasnjëshme, filluan edhe konfliktet, meqë personi që e udhëhiqte organizatën filloi të kishte njëfarë dëshire autorësie. Kishte dëshirë t’i përvetësonte ato çmime”.

“Në vend që unë ta padisja, organizata më paditi mua”.

“Në ‘Sundance e fitoi çmimin kryesor. Ka qenë proces shumë i dhimbshëm në atë kohë ndërsa ky konflikt e mbylli filmin në sirtar. Drejtori i OJQ-së “Nine Eleven” e tërhoqi filmin nga gara. Konflikti e ka ndaluar udhëtimin e këtij filmi komplet”.

“Është hera e parë që jam ballafaquar me drejtësinë. Gjatë pesë vjetëve të para lënda as që është shqyrtuar, sepse është drejtuar në një organ gabimisht, ndërsa me pas ka shkuar në gjykatën ekonomike”, u shpreh ajo.

Zeqiri po ashtu i ka këshilluar kolegët e saj që të kenë kujdes më shumë, pra t’i shikojnë mirë kontratat dhe të mos nënshkruajnë gjithçka, sepse në rastin e saj edhe kontrata e ka mbrojtur.

Konkurs Pune

Lexo më shumë