Lajmet e fundit
Anëtari i LDK-së, Lulzim Zeneli, e ka vlerësuar pozitivisht marrëveshjen për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke thënë se ajo mund t’i hapë rrugë tejkalimit të ngërçit politik dhe institucional në Kosovë.
Në “Edicionin Special” të Klan Kosovës, Zeneli tha se Sejdiu ka një profil akademik, përvojë në diplomaci dhe aktivitet në fushën kushtetuese, duke e cilësuar si kandidat që mund të garantojë seriozitet institucional dhe përfaqësim dinjitoz.
Për vetë faktin se Kosova për një periudhë të gjatë është ballafaquar me bllokadë politike dhe institucionale, në mungesë të institucioneve funksionale, dhe si i tillë ky ngërç politik me veti ka bartur edhe pasoja të rënda për funksionimin e shtetit të Kosovës. Dhe çdo dritare që hap një marrëveshje politike, që tejkalon këtë bllokadë institucionale dhe hap një perspektivë për funksionimin e shtetit, normalisht që duhet të përshëndetet. Dhe edhe ky hap duhet të përshëndetet si diçka e tillë që Kosovës po i ofrohet një mundësi për funksionimin e shtetit në tërësinë e vet”, ka thënë Zeneli
“Duhet të shihet vetëm fitues Republika e Kosovës dhe funksionimi i shtetit”, tha Zeneli, duke shtuar se në demokraci nuk duhet pritur pajtueshmëri e plotë, por “unitet veprues dhe funksional”.
Sipas tij, marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së mund të shënojë mbylljen e një kapitulli të bllokadës institucionale dhe hapjen e një “kapitulli të ri të kulturës së kompromisit”.