Zbulohet një lloj i rrallë i insektit në Kosovë, ia lënë emrin "koronavirus"

Zbulohet një lloj i rrallë i insektit në Kosovë, ia lënë emrin “koronavirus”

NULL NULL
nga Albert Bajrami 4 days më parë

Një lloj i ri i insektit është zbuluar së fundi në Kosovë gjatë ekspeditave hulumtuese në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, në zonën burimore të Lumbardhit të Deçanit.

Ky lloj është gjetur nga profesori Halil Ibrahimi dhe ekipi i profesorëve nga Departamenti i Biologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Ibrahimi në një intervistë për Klankosova.tv tha se vendosën që insektin ta pagëzojnë me emrin koronavirus.

Ai theksoi se ky emër i është vendosur për shkak të një pandemie tjetër që siç tha ai po ndodh në lumenjtë e Kosovës, në veçanti në Lumbardhin e Deçanit, si rezultat i ndotjes, degradimit dhe keqmenaxhimit të hidrocentraleve.

“Edhe pse i zënë para disa vitesh, është përshkruar tek gjatë vitit të kaluar dhe sivjet, kryesisht gjatë kohës së izolimit për shkak të pandemisë. Nga këtu vjen edhe emri i llojit, Potamophylax coronavirus, si përkujtim i kohës kur është zbuluar”.

“Simbolikisht, emri i llojit, potencon edhe një pandemi tjetër që është duke ndodhur në lumenjtë e Kosovës, e në veçanti në Lumbardhin e Deçanit, si rezultat i ndotjes, degradimit dhe keqmenaxhimit të hidrocentraleve”.

“Në kuadër të punimit janë bërë edhe analizat molekulare të krejt grupit ku bën pjesë ky lloj, krahas atyre morfologjike. Prania e këtij lloji tregon për pasurinë e madhe të biodiversitetit në Kosovë, i cili fatkeqësisht është duke u rrezikuar ndjeshëm. Zona nga është zbuluar lloji i ri ka qenë qendër e debateve dhe konflikteve për shkak të një hidrocentrali të ndërtuar viteve të fundit aty. Shoqëria civile dhe komuniteti akademik e kanë akuzuar menaxhmentin e hidrocentralit për degradimin e skajshëm të Lumbardhit të Deçanit”.

Profesori i UP-së thekson se ky lloj i insektit është shumë i ndjeshëm ndaj ndotjes dhe ka shtrirje të kufizuar në Gadishullin Ballkanik.

“Grupi të cilit i takon ky lloj i insektit është shumë i ndjeshëm në ndotje dhe ka shtrirje shumë të kufizuar në Gadishullin Ballkanik. Më herët nga profesor Halil Ibrahimi janë përshkruar edhe disa lloje të tjera të insekteve nga Kosova dhe Evropa. Ky është lloji i dhjetë me radhë i tij i ri për shkencën”.

Punimi i përshkrimit të këtij lloji të ri është publikuar në revistën prestigjioze Biodiversity Data Journal, e cila boton lloje të reja për shkencën.