19:55, 14 Mars 2019

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, ka komentuar të dhënat e Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut.

Ai ka thënë se në Kosovë kjo ka ndodhur për shkak që sipas tij shteti është i kapur dhe korruptuar, transmeton Klan Kosova.

“Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit që vlerëson respektimin e të drejtave nëpër vende të ndryshme të botës ravijëzon disa probleme që janë shfaqur në Kosovë për periudhën raportuese. Ndër më shqetësueset mbeten korrupsioni, ekstradimi i shtetasve të huaj pa proces paraprak ligjor, si dhe pozita e pakicave etnike e shoqërore në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

“Natyrisht që rritja e korrupsionit është drejtpërdrejt e lidhur me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut”.

Ymeri ka thënë se në mënyrë implicite, korrupsioni nënkupton cungim të mundësive për shumicën duke e përqendruar pasurinë/pushtetin në duart e pakicës.

:Ky lloj shteti është shtet i kapur, meqë korrupsioni është mekanizëm që, duke i përjashtuar procedurat demokratike e orientimin e politikave kah e mira e përgjithshme, e privatizon aparatin shtetëror për ta vënë atë në funksion të interesit të pakicës sunduese. Kur kësaj i shtohet edhe identifikimi etnik politik, atëherë formula është e gatshme. Tjetri, përherë i reduktuar në numër, shihet me dyshim dhe si rrezik”.

“Kështu Republika e kapur dhe e korruptuar shndërrohet në të kundërtën e vet – në vend se demokraci gjithëpërfshirëse, prodhon oligarki sunduese; në vend rishpërndarje për mirëqenien e përgjithshme, prodhon zhvatje për pasurim të sunduesve”.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë