Lajmet e fundit

“Still Running” titullohet ekspozita personale e artistit Xhevdet Xhafa, e cila hapet sonte nga ora 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Kjo është ekspozita e parë personale e Xhafës në këtë galeri dhe sjell para publikut vepra të realizuara përgjatë më shumë se shtatë dekadave, duke ofruar një pasqyrë të gjerë të zhvillimit dhe transformimit të praktikës së tij artistike.
Përmes veprave të përzgjedhura, “Still Running” pasqyron vazhdimësitë, zhvendosjet dhe transformimet që kanë shoqëruar krijimtarinë e artistit në periudha të ndryshme, përballë ndryshimeve të vazhdueshme artistike, institucionale dhe politike.
Xhevdet Xhafa konsiderohet një nga figurat pioniere të artit modern në Kosovë, ndërsa ekspozita synon të sjellë për publikun jo vetëm veprat, por edhe një vështrim të gjerë mbi rrugëtimin e tij shumëdekadësh në art.
Ekspozita është kuruar nga familja e artistit dhe do të qëndrojë e hapur deri më 20 nëntor 2026. /KlanKosova.tv
