Xhevdet Bajraj, poeti i verës së përhershme NULL NULL nga Lum Gashi 6 days më parë nga Lum Gashi 6 days më parë Ka mbi 20 vjet që jeton në Meksikën tropikale dhe Kosovën e viziton bash kur bën vetëm nxehtë, andaj e quajtëm Poet të verës së përhershme. Titull me kuptim të fjalëpërfjalshëm për një poet që vërtit me figura stilistike pa hezituar një trohë. Por edhe figurativisht ai është një poet i një vere të përhershme. Kur evokon kujtimet e tij të lumtura personale, na tregon që ato i verojne përherë në zemër. Në rrafshin shoqeror e politik, vera e përhershme i vjen së paku si kërkim. Apo edhe si nënkuptim, kur godet batakët, të bëmat e të cileve dimërojnë ashpër duke e pamundësuar rritën e mirëqenies së përgjithshme shoqërore e kombetare. Një jetë e ndarë mes Kosovës dhe Meksikës. Një krijimtari e ndarë midis shqipes dhe spanjishtes, por një jetë e vepër e tërë dhënë poezisë. Kështu i këndohet poetit Xhevdet Bajraj, të cilin e shkëputëm për pak nga miqtë e panumërt që e rrethojnë me admirim në Rahovecin e tij të zemrës. Ishte i gjerë në temat që i rrah. I formuar në përmbajtje. I përmbajtur në formë. Varg i lirë por ritmik. I qethur me kujdes. Ekonomizim i fjalëve brenda vargut që arrin ta mbajë të përqendruar lexuesin e padisiplinuar të kohës së sotme. Tek i përshkruan me ëndjen më të madhe momentet më të thjeshta të përditshmërisë në poezitë e tij si një kafe mëngjesi apo një ndejë rutinore me miq, ai përkujdeset ta zgjojë lexuesin duke ia bërë me dije që shpeshherë janë pikërisht gjërat e thjeshta në jetë që e përbëjnë sublimen, në kërkim të së cilës njeriu ngarend gjer në rraskapitje. Paralufta, lufta, paslufta. Bajrajt dukej sikur nuk i shqitet vuajtja e popullit të vet në këto tri periudha të krijimtarisë së tij. Nga “Emblemë e Vdekjes” botuar 29 vjet më parë, te plagët e freskëta të pasluftës në librin “Kur engjëjt qajnë” më 2002, e deri te libri “ Me zemër në qese najloni” më 2021, të hequrat e shqiptarëve të Kosovës ushtojnë, gulçojnë, çirren, deklarohen përmes vargjeve të tij. *Ky shkrim daton më 2021. Rikthehet në kujtim të Xhevdet Bajrajt, poetit të verës së përhershme që vdiq të mërkurën.
Kosova Vela i Presidencës: Serbia vazhdon të qeveriset nga politikanë që ishin në qeverinë e Millosheviqit (VIDEO) 29.06.2022 0: 18
Kosova Cfarë bëri Suedia e Finlanda për ta bindur Erdoganin ta heqë veton për NATO? (VIDEO) 29.06.2022 0: 05