Vuçiq luan të mirin, i kërkon Dodikut kthimin në institucione

Vuçiq luan të mirin, i kërkon Dodikut kthimin në institucione

NULL NULL
2 weeks më parë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, dhe të gjitha forcat politike serbe të Republikës Serbe të marrin pjesë në punën e institucioneve shtetërore.

Sipas një komunikate nga kabineti i Vuçiqit, takimi që u zhvillua në Beograd është i pari që kur administrata amerikane e vendosi Dodikun në një listë të zgjeruar të sanksioneve për korrupsion në fillim të vitit, njofton Klankosova.tv.

Siç është bërë e ditur nga Presidenca e Serbisë, Vuçiq ka thënë se nuk kërkon nga Dodik dhe liderët politikë serbë që të pajtohen me ndonjë gjë, apo të votojnë për ndonjë gjë.

“Përkundrazi, kërkesa ime është që tavolina ku duhet të ulen përfaqësuesit e RS-së të mos jetë bosh dhe që ata të luftojnë për interesat e subjekteve dhe popullit serb, në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Vuçiq, sipas deklaratës.

Ai vlerësoi se sanksionet e SHBA-së kundër Dodikut dhe zyrtarëve të tjerë të Republikës Serbe “janë një precedent i tmerrshëm”, që “mund të sjellin pasoja katastrofike për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet tre popujve dhe dy entiteteve në BeH dhe më gjerë, në gjithë rajonin”.

Sipas një deklarate të presidencës serbe, Dodik vlerësoi se “kundër Republikës Serbe dhe popullit serb në BeH po zhvillohet një fushatë e paprecedentë politike dhe mediatike, jo vetëm në Sarajevë, por edhe në qendra të shumta perëndimore të pushtetit”.

Kështu, tha ai, është pothuajse e pamundur që populli serb të luftojë për drejtësi dhe zbatimin konsekuent të Marrëveshjes së Dejtonit për shkak të qasjes së njëanshme, siç tha ai, në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Partitë e Republikës Serbe, të udhëhequra nga SNSD në pushtet, po bojkotojnë punën e institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës, pasi ish-përfaqësuesi i Lartë, Valentin Inzko, amendamentoi Kodin Penal dhe ndaloi mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.