Von Cramon i reagon Dodikut që tha se do të refuzojë lëvizjen e lirë me Kosovën - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Von Cramon i reagon Dodikut që tha se do të refuzojë lëvizjen e lirë me Kosovën

NULL NULL
01.03.2023 18:19
MILORAD DODIK

Presidenti i Republikës Sërpska (RS) në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, tha dje në Beograd se çështja më e rëndësishme territoriale për Serbinë është Kosova, ndërsa çështja më e rëndësishme kombëtare për Republikën Sërpska është Serbia.

Ai hodhi poshtë çdo mundësi për një krahasim midis Republika Sërpskas dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, duke shtuar se pala shqiptare po e përdor atë për të përmirësuar pozicionet e saj negociuese dhe se “ai virus është marrë në Sarajevë”, raporton Klankosova.tv.

Dodiku tha më tej se disa ditë më parë autoritetet në BeH morën një kërkesë zyrtare për të miratuar një ligj që do të lejonte udhëtimin ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës vetëm me karta identiteti dhe se përfaqësuesit e RS e refuzuan atë.

“Ne e kemi refuzuar, nuk do të lejojmë që të lëvizet asgjë në këtë drejtim”, tha Dodiku.

Ndaj kësaj deklarate të politikanit serb të Bosnjës ka reaguar Viola von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Ajo tha se “Procesi i Berlinit ekziston për t’i bërë njerëzit të lëvizin lirshëm, të punojnë dhe të tregtojnë në Ballkanin Perëndimor”.

“Bllokimi i ratifikimit dhe pengimi i qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar lirshëm është i papranueshëm. I bëj thirrje Milorad Dodikut që ta mbajë fjalën dhe ta ratifikojë! Bllokada të tilla po e pengojnë rrugën drejt BE-së”, tha Von Cramon në një postim në Twitter.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës, javën e kaluar, miratoi tri marrëveshje të dala nga Procesi i Berlinit. Në mesin e tyre është edhe ajo e lëvizjes së lirë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti me Bosnjë dhe Hercegovinën, nga e cila Kosova ende s’e ka siguruar njohjen. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS