12:14, 15 Korrik 2020

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian Viola von Cramon – Taubadel thotë se ka qenë kritike ndaj qasjes së ambasadorit Richard Grenell rreth përpjekjeve të tij për rifillimin e dialogut Kosovë –Serbi për faktin që, sipas saj, zyrtari amerikan dëshironte ta anashkalonte BE-në dhe qeverinë e dikurshme demokratike (Qeverinë Kurti).

“[Richard] Grenell dëshironte ta anashkalonte BE-në dhe qeverinë e dikurshme demokratike (v.j Qeverinë Kurti). Nëse do të shikonit kohën dhe mënyrën e deklaratave të tij nuk synonte të ndihmonte BE-në fare. Unë kam thënë që nëse duam stabilitet afatgjatë në rajon do të na duhen edhe BE-ja dhe SHBA-ja. Nuk mund t’i ndajmë ato dhe duhet të kemi një dialog, me BE-në në vendin e shoferit”.

Në një intervistë për KosovaPress, ajo thotë se qytetarët e Kosovës e kanë merituar liberalizimin ashtu si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa shton se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk lidhet me përparimet gjatë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo varet vetëm nga Këshilli për të vendosur, ata duhet të kishin vendosur dy vjet më parë, shpresoj se gjatë kryesimit aktual të Këshillit nga gjermanët do të sillet në axhendën e Këshillit dhe së shpejti do të merret një vendim. Unë kam shkruar një letër kohët e fundit me 32 kolegë të tjerë duke kërkuar nga kancelarja Merkel që çështja e liberalizimit të vizave të diskutohet në muajt e ardhshëm”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë