Vlahutin: Reformat kërkojnë bashkëpunim - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vlahutin: Reformat kërkojnë bashkëpunim

NULL NULL
17/12/2015

Ambasadorja e Bashkimit Evropian, Roma Vlahutin, kërkoi dje bashkëpunimin mes mazhorancës dhe opozitës për reformat e nevojshme të cilat janë kusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pohimi i saj u bë në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm parlamentar ku ishte e ftuar në një seancë dëgjimore.

“Ne të gjithë kemi të njëjtin qëndrim, si të sjellim Shqipërinë në standardet që të mundësojnë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Vlahutin në komision, për të vijuar më pas diskutimin me dyer të mbyllura me ligjvënësit e mazhorancës dhe të opozitës. Burimet nga mbledhja pohojnë se edhe në takimin me dyer të mbyllura fokusi ishte tek procesi i anëtarësimit dhe përparësitë që Shqipëria ka bërë për secilën nga 5 prioritetet e përcaktuara nga BE-ja.

Ambasadorja ka theksuar reformën në drejtësi si kryefjalë të rrugës drejt BE-së ndaj ka kërkuar angazhimin e mazhorancës dhe të opozitës në gjithë këtë proces. Në përfundim të mbledhjes, ambasadorja Vlahutin tha në një prononcim të shkurtër për mediat se palët ishin në një mendje, sa i takon angazhimit për të vijuar me reformat. “Kemi pasur një diskutim të dobishëm.

Ajo që pashë është dëshirë dhe vullnet i madh për dialog, çështje që janë të rëndësishme për Shqipërinë, për integrimin e saj në BE”, deklaroi ajo. Një ditë më parë BE-ja vlerësoi “përparimin e qëndrueshëm të bërë nga Shqipëria në trajtimin e 5 përparësive kyçe për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit”, ndërsa vuri theksin te reforma në drejtësi e çmon “angazhimin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe përputhshmërinë e saj me politikën e Jashtme dhe të sigurisë së BE-­së”, përfundime këto të nxjerra pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.

Lidhur me 5 përparësitë kyçe, Këshilli vlerësoi në veçanti, reformën në administratën publike dhe përgatitjen e një reforme të plotë të sistemit gjyqësor, duke inkurajuar Shqipërinë të vazhdojë përpjekjet e saj. Duke u ndalur veçanërisht te reforma në drejtësi, Këshilli nënvizoi se ajo është kyçe për ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit ndërsa pritet edhe miratimi dhe zbatimi i legjislacionit për përjashtimin e personave me aktivitet kriminal nga funksionet publike./Shekulli.al