Lajmet e fundit
Kanë nisur përgatitjet për pritjen e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila sot do të vizitojë Kosovën.
Nga Presidenca e Kosovës, gazetari i Klan Kosova, Besnik Tahiri, raportoi se janë vendosur qilimi i kuq dhe janë shtuar masat e sigurisë, në pritje të Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian, do të takohet me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, në orën 12:30, ndërsa në orën 13:00 do të pritet nga kryeministri Albin Kurti në ndërtesën e Qeverisë.
Siç raportoi Tahiri, një nga temat kryesore të takimeve pritet të jetë perspektiva evropiane e Kosovës, përfshirë çështjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Kosova aplikoi për këtë status në dhjetor të vitit 2022, por deri më tani nuk ka pasur lëvizje konkrete nga institucionet evropiane në këtë drejtim.
Tahiri tha tutje se vizita e saj vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po përgatitet për një proces të rëndësishëm që lidhet me zgjerimin, ndërsa Kosova, vazhdon të ketë probleme në raportet me Brukselin.
Pas takimit me kryeministrin Kurti, Von der Leyen pritet të dalë në konferencë për media.