Vizita në muze arti mund ta ndryshojë mënyrën si mendojmë për jetën NULL NULL 07.05.2025 14:44 07.05.2025 14:44 Një studim nga Universiteti i Kembrixhit ka zbuluar se vlerësimi i bukurisë së artit mund të përmirësojë aftësinë tonë për të menduar në mënyrë abstrakte. Në hulumtim morën pjesë 187 persona, të cilët u ftuan të shihnin një ekspozitë me punime qeramike në galerinë Kettle’s Yard në Kembrixh. Një pjesë e pjesëmarrësve u udhëzuan të vlerësonin bukurinë e secilës vepër arti, ndërsa të tjerët thjesht e vëzhguan ekspozitën pa dhënë ndonjë gjykim. Rezultatet treguan se grupi që u angazhua me bukurinë e veprave demonstroi një nivel më të lartë të të menduarit abstrakt, krahasuar me grupin tjetër. Megjithatë, ata nuk raportuan ndonjë rritje të ndjeshme të ndjenjës së lumturisë, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv. Sipas autores së studimit, Dr. Elzė Sigutė Mikalonytė, proceset abstrakte të të menduarit po humbin në një botë të dominuar nga ekranet dhe telefonat inteligjentë. “Kur admirojmë bukurinë e artit, arrijmë të dalim nga rutina mendore e përditshmërisë,” tha ajo. Profesoresha Simone Schnall, bashkautore e studimit, theksoi se qeramika ishte zgjedhja ideale për eksperimentin, sepse kërkon vëmendje dhe reflektim të thellë. “Një pikturë madhështore nga një mjeshtër i vjetër do të ishte shumë e fuqishme vizualisht. Na duhej art që është i butë në formë dhe kërkon përqendrim në natyrën e bukurisë”, u shpreh ajo. Ky studim sugjeron se vlerësimi i artit mund të ndihmojë në rikthimin e mënyrave të thella të të menduarit që po zbehen në shoqërinë moderne. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.