Lajmet e fundit

Gazetarja e Klan Kosova, Rina Mujku, ka zbërthyer prapaskenat dhe procedurën e radhës në Dhomat e Specializuara në Hagë lidhur me dëmshpërblimin e viktimave, pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton Klankosova.tv.
Mujku fillimisht kujton se kjo procedurë ishte iniciuar shumë më herët, siç raporto pak më parë Klankosova.tv.
“Se viktimat do të kompensoheshin me urdhër të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe jo nga gjykatat e Kosovës përmes kontesteve civile, në rast dënimi, ishte kërkuar e diskutuar qysh në nëntor 2025, me përfundimin e dëshmisë së Wesley Clark. Ironike, pas dëgjimit të asaj dëshmie, askush nuk e priste që ky rast do pasohej me procedurë të radhës për zhdëmtimin e viktimave”, ka shkruar Mujku në Facebook.
Duke bërë dallimin nga rastet paraprake ku u caktuan 208 mijë euro për Pjetër Shalën dhe 207 mijë euro për Salih Mustafën - Calin, gazetarja thekson kompleksitetin e llogaritjes në këtë gjykim,
“Sidoqoftë, janë dy elemente të rëndësishme. E para, se për dallim nga rasti i Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës që, përveçse ishin të akuzuar të vetëm, përballeshin edhe me vetëm akuza për krime lufte, Mbrojtësi i Viktimave e ka pasur më të lehtë ta kërkojë një shumë të vetme për zhdëmtim. (Për Shalën u caktua vlera prej 208 mijë Eurosh, për Calin më herët 207 mijë Euro)”, tha gazetarja.
Teksa foli për aktgjykimin dënues ndaj katërshes, Mujku tutje tha se deri më 14 nëntor, pra brenda 30 ditësh nga shpallja e Aktgjykimit, Mbrojtësi i Viktimave do të bëjë nga një vlerësim veç-e-veç për secilin prej tyre për përgjegjësinë individuale karshi 156 viktimave të pranuara në këtë rast, dhe secili prej tyre është përgjegjës për cilën pikë të akuzave për krime lufte”.
“Ky vlerësim nuk mund të bëhej gjatë kohës së kuvendimeve të Trupit Gjykues sepse, siç u vërtetua, disa pika të aktakuzës ranë - 6 për krime kundër njerëzimit”, shtoi ajo.
Gazetarja theksoi se vlerësimet për dëmet që u janë shkaktuar këtyre viktimave ishin dhënë në gjykatore nga dy dëshmitare që, sipas saj, “nuk i kishin takuar viktimat një për një, por patën thënë se kanë shkuar me vlerësime në bazë të mostrave dhe se për ato ngjarje kishin lexuar edhe në libra”.
Kurse në fund, Rina Mujku tha se ka viktima që janë pranuar edhe në rastet e Shalës dhe Mustafës, e edhe te rasti ndaj katërshes – për çka ajo tha se viktimat kërkojnë kompensim të dyfishtë.
“Dhe e dyta, ka viktima që janë pranuar edhe te Shala apo Mustafa dhe më vonë edhe tek rasti i madh ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, pra kërkojnë kompensim të dyfishtë”, theksoi gazetarja Rina Mujku. /Klankosova.tv