21:58, 16 Maj 2019

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur në vazhdim të seancës së sotme për fotografinë e publikuar sot nga deputetja Flora Brovina, origjinaliteti i të cilës u vu në dyshim më pas.

Veseli u bëri thirrje deputetëve që mos të bien të gjithë në lajthitje të ndonjë lufte speciale, por të qëndrojnë të fokusuar tek iniciativa për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet serbe, pasi siç tha ai, të gjithë e dinë se Serbia ka kryer vrasje, masakra dhe dhunime në Kosovë.

Ai u shpreh me këmbëngulje që iniciativa e tij do të shkojë deri në fund dhe kriminelët serbë do të dalin para drejtësisë.

“Diçka çka duhet të jetë shumë e qartë, çfarë do që të jetë, si do që të jetë, për çka ky Kuvend nuk merr përgjegjësi, ajo që është kryesore, distancim dhe dënim deri në fund ka vetëm për gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Dhe nuk duhet ta lejojmë pavarësisht qëllimit që është të ikim nga primati i idesë për t’u dënuar gjenocidi serb në Kosovë. Për pjesën tjetër, do të ishte mënyrë disfatiste dhe bash një dëshirë se nëse ka dikund një bombë të tillë të një lufte speciale ta hudhim këtu”.

“Unë tash nuk jam në gjendje as të konstatoj e as të flas për diçka që kam qenë i painformuar dhe ta supozojë të vërtetën apo të pavërtetën. Por, diçka ka të vërtetë dhe kjo na mban të gjithëve të gjallë dhe të fortë që jo menjëherë ta kthejmë shpinën. Serbia ka kryer gjenocid. Serbia ka kryer dhunime. Serbia ka kryer vrasje. Dihet kush i ka kryer”.

Kreu i Kuvendit deklaroi në seancë se nëse ka ndodhur ndonjë manipulim i deputetëve nga ndokush, atëherë kjo do të vërtetohet shumë lehtë nga organet përgjegjesë të sigurisë.

“Do të dalin me dhjetëra e qindra dëshmi pas ditës së sotme, edhe në këtë seancë edhe jashtë seancës, me dokumente të faktuara se ka kryer dhunime Serbia. Nuk është një, janë me dhjetëra dhe dhjetëra. Po ju jap fjalën se do të kërkojë dhe do t’ua sjell këtu në seancë. Me ruajt privatësinë, por me emra e mbiemra të cilët janë të Serbisë. Kjo është ajo që është kryesore: Gjenocidi serb, krimet serbe, dhunimet serbe kanë ndodhur”.

“A është ajo fotografi a nuk është, ekspertizë asnjë këtu çka jemi edhe pesë vjet nuk mund t’i bëjmë. Është AKI që duhet të shikojë. Dy deputetet [Flora Brovina dhe Saranda Bogujevci] të cilat kanë folur, ndjej keqardhje shumë të madhe në rastin e të dyjave. Të dyja janë të lënduara shumë dhe nuk është mirë që të jenë objekt i diskutimit në këtë seancë”.

Kryeparlamentari Veseli në konsultim dhe me pajtim me të gjithë deputetët prezentë vendosën që seanca e sotme të vazhdojë të hënën në ora 10:00.

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë