Veseli mban ligjëratë para diplomatëve në Itali dhe pritet nga arbëreshët (FOTO) NULL NULL 02/03/2017 02/03/2017 I ftuar nga diplomatët e njohur italianë, Franco Fratini dhe Ricardo Sesa, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur një ligjëratë para diplomatëve të rinj të akredituar në Romë. Gjatë ligjëratës, ai tha se krijimi i shtetit të Kosovës ka sjell stabilitet në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. “Kosova vazhdon të mbetet ndër faktorët kryesorë të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit. Republika e Kosovës po vazhdon rrugën e saj drejt fuqizimit të shtetësisë dhe zhvillimit ekonomik, ndërsa në këtë aspekt ne ftojmë bizneset italiane që të jenë më shumë prezente në ekonominë kosovare, e cila ka stabilitet dhe në vazhdimësi po shënon rritje”, tha Veseli. Pas ligjëratës, kreu i parlamentit ka bashkëbiseduar me diplomatët italianë, të cilët dhanë mbështetje për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe në fuqizimin e diplomacisë kosovare. Gjatë vizitës zyrtare në Itali, ai është pritur në një takim të veçantë edhe nga arbëreshët e Italisë. Gjatë kësaj pritjeje, Veseli tha se arbëreshët janë panteon i kulturës, traditës dhe mbijetesës shqiptare në Itali. Arbëreshët performuan disa këngë të tyre tradicionale për nder të takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Me qëllim të ruajtjes së kulturës dhe fuqizimit të raporteve mes Kosovës dhe arbëreshëve në Itali, Veseli i ftoi një grup përfaqësues të organizatave kulturore arbëreshe për vizitë në Kosovë. Ai tha se Kuvendi i Kosovës do të investojë që ta ketë një kënd të Kosovës në institucionet kulturore arbëreshe në Romë, transmeton Klan Kosova.