Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Verë përvëluese pritet në korrik dhe gusht, mbani trupin të freskët dhe të hidratuar

NULL NULL
nga Genita Ukaj 23.06.2025 18:21

Pas një fillim pranvere më temperatura nën mesatare, muaji qershor do të përfundojë me temperatura mbi mesatare dhe me kushte të thata të motit, të cilat mund të zgjasin dhe mund të krijojnë pasoja në rendimente për kulturat bujqësore.

Kështu për Klankosova.tv ka thënë menaxheri i departamentit meteorologjik në KANS, Sherif Gosalci i cili duke folur për periudhën korrik-gusht shtoi se parashikimet afatgjata flasin për dominim të anticikloneve, që sjell valë të nxehta dhe mungesë të reshjeve.

Gjatë po të njëjtës periudhë do të mund të përballemi me temperatura afër 40 gradë Celsius.

”Prania e valëve të nxehta mund të shkaktojë maksimalen e temperaturave, që mund të arrijë madje edhe mbi 32–38°C, jo rrallë edhe më tepër”, është shprehur ai.

Gosalci tha gjithashtu se në rajon, përfshirë edhe Kosovën, si edhe vitin e kaluar, priten tri deri katër valë nxehtësie kryesore gjatë verës.

”Reshjet në faza të shkurtra, të paktën gjatë korrikut dhe gushtit, mund të ndodhin por janë shumë të izoluara”, tha ai.

Tutje për Klankosova.tv ai, theksoi megjithatë se reshje më intensive priten kryesisht si stuhi lokale, ngjashëm me ato të ngjara këtyre ditëve të fundit.

E për t’u mbrojtur nga këto temperatura të larta që na presin në ditët dhe muajt në vazhdim, preferohet të shmangni daljen jashtë dhe aktivitetet e rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës.

Për Klankosova.tv, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë disa këshilla, duke rekomanduar të qëndroni në hije dhe të kaloni 2-3 orë gjatë ditës në një vend të freskët.

-Jini të vetëdijshëm për rrezikun

-Mbajeni shtëpinë tuaj të freskët

-Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë tuaj duke hapur dritaret në mbrëmje kur temperatura e jashtme është më e ulët se ajo e brendshme

-Gjatë ditës kur temperaturat e jashtme janë më të larta se ato të brendshme, mbyllni dritaret dhe mbulojini ato me perde apo materiale që pengojnë rrezet e diellit të hyjnë drejtpërdrejt brenda.

-Përdorni ventilatorë elektrikë vetëm kur temperaturat janë nën 40 ˚C.

IKShKP-ja gjithashtu ka këshilluar që ta mbani edhe trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar.

-Përdorni veshje të lehta dhe të lirshme, kryesisht nga pambuku.

-Bëni dush ose banjë të freskëta.

-Lagni lëkurën tuaj duke përdorur një leckë të lagur, spërkatje ose veshje të lehta të lagura.

-Pini ujë rregullisht.

Rekomandimet e tjera kanë të bëjnë me mbrojtjen e foshnjave dhe fëmijëve nga i nxehti, ku së pari nuk duhet t’i lini fëmijët ose kafshët në automjete të parkuara për asnjë kohë, pasi temperaturat mund të rriten shpejt në mënyrë të rrezikshme.

-Shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të pikut (11:00-17:00), duke kërkuar hije ose duke qëndruar brenda.

-Mos e mbuloni kurrë një karrocë me pëlhurë të thatë, kjo e bën atë më të nxehtë brenda karrocës. Në vend të kësaj, përdorni një leckë të lagur, të hollë dhe lagni sërish sipas nevojës për të ulur temperaturën.

Gjithashtu, mos harroni t’i vishni edhe fëmijët tuaj me veshje të lehta e të lirshme që mbulojnë lëkurën e tyre dhe përdorni syze dielli dhe krem mbrojtës për t’i mbrojtur ata nga rrezet e diellit./Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.