Veprat origjinale të Gjon Milit prezantohen për herë të parë në Shqipëri NULL NULL 12.06.2026 13:44 12.06.2026 13:44 Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Tiranë, sonte nga ora 20:00 hapet ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë”, e kuruar nga Howard Greenberg. Kjo ekspozitë shënon një moment të rëndësishëm për historinë e fotografisë në Shqipëri, duke prezantuar për herë të parë një koleksion origjinal të veprës së Gjon Milit, një prej figurave më novatore të fotografisë së shekullit XX. I lindur në Korçë në vitin 1904, Mili emigroi drejt Shteteve të Bashkuara më 1923. Formimi i tij nuk nisi në akademitë e artit, por në fushën e inxhinierisë elektrike: në vitin 1927 ai u diplomua pranë Massachusetts Institute of Technology, ndaj çasja shkencore do të ndikonte thellësisht në mënyrën sesi ai e konceptonte fotografinë. Më pas punoi në fushën kërkimore të inxhinierisë së ndriçimit pranë Westinghouse Electric Company, ku realizoi hulumtime të avancuara mbi optikën, projeksionin e dritës dhe fotografinë teknike. Për publikun shqiptar, kjo ekspozitë ka edhe një dimension të rëndësishëm historik dhe identitar. Edhe pse Mili ndërtoi karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe u bë pjesë e historisë së fotografisë amerikane, origjina e tij mbetet thelbësore në narrativën e tij personale. Kthimi simbolik i këtyre veprave në Shqipëri përbën një akt rikthimi kulturor dhe një rivendosje të Milit në memorien artistike shqiptare. /Klankosova.tv