Lajmet e fundit
Familja Hamzaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë për shpalljen të pafajshëm të tre anëtarëve të familjes Mehmetaj, të cilët për pesë vjet u gjykuan për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit.
Brikend Hamzaj, vëllai i viktimës Ledion Hamzaj, thotë se familja ka prova që, sipas tyre, duhet të shqyrtohen me kujdes. Ai veçon ekspertizat balistike, dëshmitë dhe përgjimet që pretendohet se lidhen me rastin, raporton Klan Kosova.
Familja thotë se nuk do të heqë dorë nga kërkesa për drejtësi, ndërsa babai i viktimës Genta Mustafaj ka deklaruar se do të vazhdojë të kërkojë zbardhjen e rastit.
Ndërkohë, familja Mehmetaj, e cila tashmë është e lirë pas vendimit gjyqësor, nuk ka pranuar të deklarohet për rastin.
Pas vendimit, Kryeprokurori i shtetit, Zejnullah Gashi, i ka kërkuar raport me shkrim kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuqetaj.