Vendimi i Speciales: Cali u ka borxh 207 mijë € viktimave (VIDEO) - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vendimi i Speciales: Cali u ka borxh 207 mijë € viktimave (VIDEO)

NULL NULL
nga Qendresa Tershana 06.04.2023 20:18
cali, salih mustafa, gjykata speciale

Fizikisht u privua nga liria qe dy vjet e gjysmë. Edhe 24 tjera pritet t’i kalojë prapa grilave, për ta mbushur dënimin prej 26 vjetëve, sa Gjykata Speciale në Hagë ia dha Sali Mustafës.

Pos këtyre pasojave, ish komandanti të UCK-së u rëndua edhe ekonomikisht të enjten, kur nga Dhomat e Specializuara u obligua që 8 viktimave të tij t’ua paguajë 207 mijë euro si kompensim për dhunën fizike e psikike.

Pa kompensim nuk mbeti as familja e viktimës për vrasjen e të cilës rëndohet Cali.
Viktimat jo të drejtpërdrejta patën pasoja shkatërrimtare, përjetuan pikëllim, dhimbje shpirtërore dhe tmerr, për më tepër ata nuk kanë qenë në gjendje që të kalojnë dhimbjen për pikëllimin e tyre dhe kjo u ka bërë më të vështirë jetën e tyre. Kjo ka ndikuar dhe në gjeneratën më të re të kësaj familjeje, tha gjyqtarja e rastit, Veldt-Foglia.

Por, Dhomat e Specializuara e kuptuan se Mustafa nuk ka mundësi të paguajë. Andaj sugjeruan që këtë ta bëjë shteti i Kosovës, por fillimisht duke i rregulluar ligjet që e mundësojnë këtë gjë. Nëse kjo nuk bëhet në Prishtinë, Specialja ndërhyn vetë.

“Nëse Kosova nuk i përmbush detyrimet e veta  në një kohë të arsyeshme, ne me nismën  e Dhomave të Specializuara rekomandojmë themelimin e një fondi për viktimat, fondi të mbështetë financiarisht para së gjithash nga Kosova dhe nga shtete donatorë të tjerë që dëshirojnë t’i mbështesin viktimat”,
tha Veldt-Foglia.

Trupi gjykues vlerësoi se ligjet e Kosovës janë diskriminuese sa i përket dëmshpërblimit, pasi nuk parashohin diçka të tillë edhe për viktimat që mund të kenë pësuar si pasojë e veprimeve të të dënuarve në proceset si këto të Gjykatës Speciale në Hagë.