Lajmet e fundit
Numërimi mbrapsht për zgjedhjen e presidentit të Kosovës ka nisur, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një marrëveshje politike për emrin që do ta drejtojë shtetin.
Sipas deklarimeve të bëra në kuadër të debatit për këtë çështje, më 4 tetor përfundon gjashtëmujori i ushtrimit të detyrës së të parës së shtetit nga Albulena Haxhiu.
Se kush do ta marrë këtë post në rast se deri atëherë nuk zgjidhet presidenti i ri, mbetet çështje e paqartë juridike.
Vetë Haxhiu ka thënë se ekzistojnë interpretime të ndryshme për këtë situatë, duke përfshirë edhe atë nëse mandati i ushtruesit të detyrës përfundon me skadimin e afatit gjashtëmujor apo nëse zbatohet parimi i vazhdimësisë institucionale.
Ndërkohë, Eugen Cakolli nga KDI-ja ka ngritur një tjetër pikëpyetje: kush do të ketë kompetencën për t’i shpallur zgjedhjet eventuale nëse vendi mbetet pa president dhe pa ushtrues detyre.
“Pikëpyetje serioze se cila është instanca dhe cili është institucioni që mund t’i shpallë zgjedhjet eventuale. Kushtetuta nuk lejon ushtrimin e detyrës së presidentit mbi gjashtë muaj”, ka deklaruar Cakolli.
Edhe kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin deri më 6 tetor, funksionimi i institucioneve do të përballet me një situatë të re.
Gjykata Kushtetuese, në vendimin për lëndët për konstituimin e Kuvendit e votimin e qeverisë, vlerësoi se afati për presidentin ka nisur të rrjedhë qysh në gusht, për çka koha e caktuar kryhet më 6 tetor.