Veliaj: Nevojë urgjente për shkolla dhe kopshte - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Veliaj: Nevojë urgjente për shkolla dhe kopshte

NULL NULL
19/05/2015
Shërbimet që u ofron Tirana fëmijëve shqiptarë përmes institucioneve publike janë shumë herë më të ulëta se sa nevojat reale dhe nuk mbulojnë dot gjithë kërkesat.

Kandidati i mazhorancës për kryetar bashkie, Erion Veliaj, ka sjellë përmes të dhënave gjendjen reale të çerdheve, kopshteve dhe shkollave, ku ka  theksuar se në 92% të kopshteve të Tiranës mund të shkojnë vetëm 50% e fëmijëve në moshë parashkollore.

“Në kopshtet dhe shkollat e Tiranës kemi 4-fish më shumë fëmijë dhe nxënës. Do të thotë që jemi 4 herë më ngushtë në hapësirat që ne kemi në një shkollë apo kopsht. Një fëmijë që shkon në një kopsht apo shkollë me infrastrukturë të mirë, me hapësirë, ngrohje dhe ndriçim, performon 20% më shumë sesa një fëmijë që thahet së ftohti apo që rri ngushtë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se gjatë vitit 2013, bashkia aktuale nuk ka arritur të kryejë investimet, çka ka bërë që në një vlerësim publik të marrë notën 4: “Planifikoi 89.5 milionë lekë për rikonstruksione shkollash dhe shpenzoi vetëm 31.9% të fondit. Pra, merr notë ngelëse. Planifikoi 58 milionë lekë investime për rikonstruksione dhe ndërtime kopshtesh, realizoi 37%. Sërish notë ngelëse. Planifikoi 17.2 milionë lekë investime për ndërtim kopshtesh të integruara me çerdhe dhe realizoi 0%”.

Veliaj u ka premtuar prindërve dhe mësuesve një kontratë me 10 pika, ku rol të rëndësishëm do të ketë jo vetëm ndërtimi i objekteve të reja, por edhe rehabilitimi i plotë i ndërtesave aktuale.

“Do të sigurojmë ngrohje në të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat brenda vitit tonë të parë; do të ndërtojmë 5 çerdhe të reja brenda mandatit të parë; 8 kopshte të integruara me çerdhe brenda mandatit të parë dhe 10 shkolla të reja brenda mandatit tonë të parë”, premtoi Veliaj.