17:11, 11 Korrik 2019

Transformimet që ka pësuar Tirana kanë tërhequr vëmendjen e arkitekteve dhe urbanistëve të huaj.

Të mbledhur në Roterdam, ata kanë vlerësuar nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës, për ndryshim.

“Jam shumë krenar për Tiranën, për faktin që është përzgjedhur këtë vit nga ‘Baumeister’, revista më prestigjioze e arkitekturës dhe urbanistikës në vendet e ulëta, si Belgjika, Holanda, Gjermania, ku vëmendja ka qenë tek transformimi i qytetit. Jemi vlerësuar shumë sidomos për mënyrën se si kemi zgjidhur disa çështje të strehimit me kreditë e buta, që targetojnë çiftet e reja që krijojnë familje dhe fillojnë jetën e tyre profesionale në Tiranë”, është shprehur Veliaj.

Duke folur para arkitekteve të huaj ka vlerësuar pjesëmarrjen jo vetëm para tyre, por edhe për faktin se zhvillohet në Hollandë, e cila ka qenë epiqendër e zhvillimeve më të fundit politike për Shqipërinë.

“Është posaçërisht kënaqësi kur e bëjmë këtë në Holandë, një vend që duhet ta pranojmë, është skeptik, ka nevojë për më shumë informacion, ka nevojë të kuptojë se Shqipëria është një vend evropian, dhe rreziku nuk vjen nga Shqipëria e vogël kur sheh gjithë këto transformime. Bëhet sfidë komunikimi i historisë së suksesit të Shqipërisë në Holandë, sidomos kur kemi një pjesë të politikës që ka lidhje me Holandën dhe që mundohet që sherret, mëritë, zemëratën, e debatet e Shqipërisë t’i kalojë edhe në Holandë. Do të doja që të ishim një ‘antidot’ dhe do të jemi më të pranishëm në Holandë me takime të tilla, për t’u siguruar që dëgjohet e gjithë historia”, ka thënë në fjalën e tij Veliaj.

Kryebashkiaku tha se është shumë e rëndësishme, që e gjithë klasa politike të bashkohet dhe të mendojë më shumë për interesat e vendit, se sa për interesat e ngushta të politikës së ditës, shkruan Top Channel, transmeton Klan Kosova.

Konkurs Pune

Lexo më shumë