Vdes në moshën 81-vjeçare regjisori Leka Bungo NULL NULL 11.06.2025 09:06 11.06.2025 09:06 Regjisori i njohur, Leka Bungo është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare pas një infarkti në zemër. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij përmes rrjeteve sociale. Ceremonia mortore do të zhvillohet këtë të mërkurë, më 11 qershor, në orën 16:00, në varrezat e Sharrës, ku regjisori do të përcillet për në banesën e fundit. Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe mbetet një prej figurave më të spikatura të artit shqiptar, me një karrierë të pasur në teatër, film dhe televizion. Ai përfundoi studimet për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më pas ndoqi një kurs regjie në Institutin e Lartë të Arteve. Gjatë viteve të tij krijuese, ai punoi si regjisor në teatrin “Bylis” në Fier dhe më vonë në Estradën e Shtetit, ku solli shfaqje me tematikë sociale dhe nota të theksuara satire. Pas viteve ’90, themeloi teatrin privat “Rubairat” pranë Teatrit Kombëtar, një përpjekje për të sjellë risi në skenën shqiptare, që megjithatë nuk arriti të mbijetonte gjatë. Në vitin 2002 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vazhdoi të qëndronte aktiv në botën e artit. Ai është autor i disa dramave dhe skenarëve filmikë, përfshirë “Pabesia” dhe “Pas fasadës”, si dhe është kujtuar për rolin e Bardhylit në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990). *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.